Zëdhënësja e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Maja Kocijançiq, ka deklaruar se të gjitha problemet që dy vendet, Kosova e Serbia, i kanë mes tyre duhet t’i zgjidhin me dialogë të përbashkët
“Çfarëdo çështje e përbashkët (në mes Kosovës e Serbisë) duhet të diskutohet mes palëve në frymën e normalizimit të raporteve mes tyre. Platforma për të diskutuar këto çështje është dialogu. Qasja konstruktive në dialog është një kërkesë esenciale për të dyja palët për të avancuar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian”, ka pohuar Kocijançiç për Klan Kosovën.
Reagimi i Kocijançiç vjen pasi ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka kërkuar intervenim të Bashkimit Europian për ta ndaluar trenin ilegal që është nisur nga Beogradi për në Mitrovicë, e i cili është i veshur me afishe e mesazhe kundër shteti të Kosovës, por nga BE-ja thonë se kjo s’është punë e tyre.
I vetmi nga zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës që ka dhënë opinionin e tij është Presidenti Hashim Thaçi.
Përmes llogarisë së tij në Facebook Thaçi ka deklaruar se respekton lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave por jo kur bëhet fjalë për afishe nacionaliste pasi është në kundërshtim me Kushtetutën. Thaçi është shprehur se duhet të merren menjëherë masat dhe veprimet e nevojshme ligjore.
Thaçi: “Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme. Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi. Prandaj, çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet. Ky tren është provokim i radhës dhe autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të tij. HTH”