“Nuk e kuptoj pse merret me kaq sekëlldi nga ana e autoriteteve maqedonase Marrëveshja e Ohrit” , ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i ka kthyer përgjigje homologut maqedonas pas akuzave për ndërhyrje në punët e Shkupit zyrtar për formimin e qeverisë së re.
“Shqipëria nuk ka ndërhyrë në punët e Maqedonisë, por vetëm ka zbatuar një detyrim kushtetues, që ka të bëjë me mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, pavarësisht se ku ata jetojnë” është shprehur Bushati.
Ministri deklaron se në Maqedoni komuniteti shqiptar është shtetformues, ndërsa Shqipëria nuk ndërhyn për përcaktimin e koalicioneve qeverisëse.
Shefi i diplomacisë së maqedonase, Nikolla Poposki ka kritikuar dje Shqipërinë dhe Kosovën sepse sipas tij po përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë.
Me deklaratat e fundit, Nikolla Poposki i referohet takimit të Ramës me krerët e partive shqiptare në Tiranë pak javë më parë ku kërkoi unitet.