Tablo e piktorit Gjergj Trifoni nga Berati, ku pasqyron Skënderbeun me sfond lagjen Mangalem në Berat
Piktura është punuar në bojra vaji dhe ka përmasat 55×38 cm. Sipas studiuesit Myslym Hotova, kjo tablo ishte në pronësi të familjes së Pandi Kreka nga Elbasani dhe familja e tij e kishte sjellë nga Athina në 1925. Në vitin 1987 iu dhurua Muzeut Historik në Berat, nga ku pas viteve ’90 u zhduk pa lënë gjurmë. Tabloja ka dy mbishkrime në greqisht. Mbishkrimi i parë lexon: “Gjergj Kastrioti i quajtur më vonë Skënderbej, Mbret i Shqipërisë”, kurse mbishkrimi i dytë lexon: “Punim nga Gjergj Trifoni, piktor nga Berati”.
Kjo tablo është përdorur si kopertinë për librin “Eposi i Skënderbeut” i poetit maqedonas Grigor Perlicef/ Grigori Stavridhi i botuar i plotë nga studiusi Niko Stylo në 2014 në Mulheim. Grigor Perlicef lindi në Ohër në1830 ku mbaroi dhe gjimnazin grek të qytetit. I mbetur i vogël jetim, nga që të atin ia quanin Stavro, mori për mbiemër dhe emrin e tij.
Në arsimin grek, ku u shkollua dhe punoi më vonë mbiemri i tij u transformua në Stavridhi. Gjatë viteve 1848-1849 punoi si mësues i gjuhës greke në Tiranë në shkollën e komunitetit vllah ortodoks të Tiranës. Në vitin 1861 shkruajti poemen “Eposi i Skënderbeut” për një konkurs poetik që do të mbahej në Athinë.
Disa vjet më vonë ai u përfshi në Lëvizjen Kombëtare Bullgare dhe është një nga poetët dhe heronjtë kombëtare të Bullgarisë dhe popullsisë sllave të Maqedonisë. Kjo vepër është përkthyer në shqip me shkurtime nga Spiro Çomora në 1967.
Heroi Kombëtar i shqiptarëve ishte një simbol lirie për gjithë popullatat e Ballkanit.
/shqiptarja.com/