Gripi,temperaturat e ftohta, ngricat dhe rreshjet e shumta kanë pushtuar gjithë rajonin
Në Kroaci raportohen mijëra raste të të sëmurëve me grip, numër ky akoma në rritje, ndërsa mësohet se dy persona kanë humbur jetën nga gjendja e rënduar. Pritet që epidemia e këtij viti të jetë me intensitet shumë të madh dhe mund të zgjasë më shumë se zakonisht, sepse filloi shumë herët, që nga fundi i muajit nëntor.
Në Qendrën për influencë ekziston frika se do të paraqiten edhe shumë raste tjera të vdekjes sepse gripi është nxitës i sëmundjeve të ndryshme kronike të cilat për epilog kanë vdekjen. Drazhenoviç: “Çdo vit kemi situatën e cila na befason se sa raste të vdekjes mund të shkaktojë gripi”.
Në Serbi Ministria e Arsimit ka vendosur të mbyll shkollat deri më 11 janar. Sipas Institutit Batut, gripi më së shumti ka prekur moshën parashkollore 4-14 vjeç, rreth 12.000, deri sa në shkollën e mesme rreth 3.000 nxënës. Ky numër është rritur dukshëm gjatë festave të fundvitit, ndërsa në disa Qendra Spitalore është ndaluar edhe vizita nga familjarët si masë parandaluese.
Organet e shëndetit në Greqi janë vënë në gatishmëri të lartë pasi presin një valë të madhe të gripit të kësaj stine, që duket se është më i fuqishëm se ai i vitit të kaluar. Shembulli më i qartë se gripi i sivjetshëm ka marrë formën e epidemisë është qyteti i Larisës, ku vetëm dje, brenda 24 orëve vizituan spitalin universitar mbi 400 persona, 62 prej të cilëve u shtruan urgjentisht për t’u kuruar.
Këtë vit ka ndryshuar pasqyra epidemilogjike e virusit të influencës, kështu që në qarkullim janë katër viruse, dy A dhe dy B.
Shenjat kryesore të gripit janë: temperatura mbi 38, ethet, lodhja, anoreksia dhe kolla e thatë. Përveç vaksinimit, parandalimi më i mirë sygjerojnë mjekët është marrja sa më shumë e vitaminës C, fruta dhe perime të freskëta, ajrosja e dhomave dhe qëndrimi në ajër të pastër.