Një sondazh i OSBE-së bën me dije se pothuaj gjysma e shqiptarëve duan Enver Hoxhën, prof. Sami Repishti, në një intervistë ai ka deklaruar se masa popullore e pazhvilluar ka nevojë për një “prind” që kujdeset; ky “prind” ofron sigurimin e rendit publik me dhunë dhe punësimin e njerëzve si robotë të mekanizuar. Prof. Sami Repishti tregon se punësimi ishte skllavëri e detyrim, se torturat qenë ndër më makabret, se sa u vranë, pushkatuan a internuan, e se në fund, kjo amnezi kolektive duhet të mbarojë.
Raporti asht nji kumbonë alarmi që duhet të ndigjohet nga të gjithë ne. Më dhemb zemra kur mendoj që ka akoma shqiptarë që nuk janë në gjendje me pranue shnjerëzimin që solli komunizmi në vendin tonë.
Ka ardhë koha të shohim ngjarje, akte, individë në vendin tonë me nji sy objektiv .“Jemi në fazën e ‘kohës së pastrimeve’, një nevojë e domosdoshme për korrigjime ‘mitesh’ e zbulime ‘faktesh’ që akoma rëndojnë me peshën e tyre negative”.
Për mue, e ashtuquejtuna “Luftë Nacional-Çlirimtare” ka qenë nji mashtrim i madh komunist. Ajo luftë, në esencë ka shfrytëzue frymën patriotike të popullit tonë me sigurue nji fitore që synonte vendosjen e diktaturës komuniste në vend, pjesë e planeve ma të mëdha të përgatituna jashtë Shqipërisë. Qwllimi ka qenë i dyfishtë: mos me lejue nji parti, grup, organizatë tjetër me konkurrue.
Vetëm 22% mendojnë që trashëgimia e së shkuarës komuniste është problemi i madh dhe vetëm 8% janë të interesuar të mësojnë më shumë për periudhën komuniste, ndërsa 91% mendojnë se shteti komunist ka garantuar punësim për të gjithë. Mosnjohja e realitetit komunist në Shqipëri rrjedh nga nji injorancë totale për arsye të izolimit të plotë në vendbanime –sidomos fshati, ose nji amnezi e plotë dhe vullnetare.
60% mendojnë se ka pasur mundësi të lëvizësh lirisht brenda vendit gjatë periudhës komuniste. Unë kam udhëtue nga Shkodra në Tiranë për arsye mjeksore. Para së gjithash duhej “leja” nga Policia.
E dyta: kontrolli gjatë udhëtimit asht krye pesë herë për “pasaportë”. Udhëtimi jashtë vendit ishte vetëm për zyrtarët dhe familjet e udhëheqjes…
Çfarë na thotë ky studim në një kohë që ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit, as bashkëpunëtorët e tij?
Studimi i kryem nga OSCE asht nji kumbonë alarmi që na fton të zgjohemi nga gjumi i randë. Me korrupsion endemik, me krim të përhapun, dhe me kanabis që dominon ekonominë e vendit nuk ndërtohet as shteti, as demokracia. Unë refuzoj hymjen në BE pa dinjitet të merituem; na duhet të shkojmë në Europë si nji komb “europian”