Papa Françesku mesditën e kësaj të diele, përçoi mesazhin tradicional të Krishtlindjes dhe bekimin “Urbi et Orbi”, nga lozha qendrore e Bazilikës së “Shën Pjetrit.
Në flalën e tij Ati i Shenjtë bëri thirrje që lufta në Siri të mbarojë dhe atje të mbizotërojë paqja.
“Paqe për burrat e gratë në Sirinë e trazuar, ku është derdhur shumë gjak. Mbi të gjitha në qytetin e Aleppos, skenë përgjatë javëve të fundit e një prej betejave më të përgjakshme, ku është tejet urgjente që të garantohet, bazuar në të drejtat humane, ndihma dhe rehatia për popullin e raskapitur, që gjendet ende në një situatë të dëshpëruar dhe mes vuajtjeve të mëdha të mizorisë. Ka ardhur koha që armët të ndalen së gjëmuari dhe komuniteti ndërkombëtar të veprojë në mënyrë aktive për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar dhe në atë vend të rikthehet bashkëjetesa”.
Ati i Shenjtë bëri thirrje për paqe për cilindo “që ka humbur nëj person të dashur për shkak të akteve të urryera të terrorizmit, që kanë përjetuar frikën dhe vdekjen në zemër të shumë qyteteve dhe shumë shteteve. Paqe, jo me fjalë por me vepra, për vëllezërit dhe motrat tona të braktisura dhe të përjashtuara, e për ata që vuajnë nga uria apo që kanë rënë prè e dhunës. Paqe për refugjatët, përfshi emigrantë, të cilët sot janë subjekt keqtrajtimesh nga njerëzit e tjerë, por edhe për popujt që vuajnë nga ambiciet ekonomike të atyre shumë pak njerëzve, duke thënë se lakmia për parà të çon në skllavëri. Paqe edhe për viktimat e shumtë të tërmeteve apo katastrofave natyrore”.
Izraelitët dhe palestinezët kanë kurajon dhe vendosmërinë, vijon Papa, për të shkruar një faqe të re të historisë së tyre, aty ku urrejtja dhe hakmarrja i lënë vendin dëshirës për të ndërtuar së bashku një të ardhme të të kuptuarit dhe harmonisë reciproke”.
Gjithashtu Papa bëri thirrje për unitet në Irak, Libi dhe Jemen, ku popullsitë vuajnë nga lufta dhe nga aktet terroriste.
Një dedikim pati edhe për Afrikën, veçanërisht Nigerinë e gjunjëzuar nga terrorizmi fundamentalist që shfrytëzon edhe fëmijët për të shkaktuar horror dhe vdekje, por edhe për Ukrainën, Venezuelën dhe Azinë.
Ati i Shenjtë gjithashtu tha se “në këtë ditë speciale, kur Zoti bëhet fëmijë, kërkoj paqe për ata që janë të privuar nga gëzimet dhe fëmijëria për shkak të urisë, luftrave apo egoizmave të të rriturve”.