Nga Ilir Seci
…“Data 21 dhetuer…tue fillue prej natës së sodit, nis e ngatet Dita, ngatet qaq sa kcen Kanxhi tra n’tra.” – na diftonte baci plak ne fmive mbledhun rreth votrës së zjermit me dru bungi… Shprushte zjermin me lugë te gacave e fill në ajri flakarojshin do gaca tue shtue nji flakë që përndrinte trenët e kullës… Kulla s’kish tavan, vetëm mblojë, e lehtë ish me pa trenêt e zbulueme prej flakes së shtueme të votrës. Votrës, ku ishim mbledhun grusht prej te ftohtit. Njashtu t’u kqyre hapsinën mes trenëve u rreksha me marrë me mend se sa mund ishte ajo e “kcyemja tra n’tra!”…
E fantazia jeme fminore shprushej si zjermi i votrës…plot thëngjinj pikëpyetjesh.
– “Po pse asht zgjedhë Kanxhi!?”…
– “Sa kcen Kanxhi tra n’tra!?”…
Njësia matëse e kohës!
…Ku me e ditë atëherë si fmi se sa e thellë kishte kenë ajo urti malësore me Kanxhin që kcente tra n’tra!? Ma vonë në lexime mësova se Kanxhi, (Gjeli) asht ndër shpesët-simbol nga ma të përmendunit në historinë e njerëzimit?! Qysh me traditën hebraike, kur Abrahami grishte gjindjen me thanë lutje sa herë të këndojnë Kanxhi, sepse Kanxhi këndon, kur ka pa nji engjull…
Ëngjullin e Dritës…
Kanxhi e ndjen largimin e natës dhe avitjen e ditës para çdo gjallese tjetër, kanga e tij e zgjimit asht kangë jetëdashëse, (optimiste), lajmon ardhjen e ditës se re shumë ma përpara se me u përshfaqë rrezet e diellit. Optimizmi që vjen nga kanga e Gjelit asht optimizmi i dritës që po afrohet, ditë e re, shpresë e re. Optimizëm asht kanga e Gjelit edhe në mohimin proverbial të Shën Pjetrit, që ndodhi pa këndue tri herë Gjeli. Pse edhe në palcë të natës Gjeli e ndie avitjen e dritës, avitjen e shpresës dhe këndon tanë jetëdashje!
Prandaj kanë zgjedhë Gjelin!
…Malsorët kanë zgjedhë Kanxhin (Gjelin), pse Kanxhi ka kenë Ora me diftue kohën…
Kot s’asht thanë në Kanun: “Për Gjel dhe për Qen bjen në gjak”, njaq vlerë u asht dhanë këtyne dy qenieve…
– “Sa kcen Kanxhi tra n’tra!” – asht simbolika e jetës, a nuk përmbledh kjo urti kohën sa rrnojmë na drumtarët e ksaj bote?!
…Sa kcen Kanxhi tra n’tra!