Reagim nga Kujtim Çekani, i përndjekur politik në kohën e regjimit komunist: Kur dikush të vret shpresën të ka marrë jetën
Pozitat e forta të Kastriot Islamit në Partinë Demokratike, kanë shkatuar e vazhdojnë të shkaktojnë reagime shumë të forta të demokratëve por në mënyrë të veçantë të asaj pjese që i përket shtresës së ish-të përndjekurve politikë. Një prej tyre, Kujtim
Çekani, i cili përmes profilit të tij në Facebook përcjell histori të dhimbshme nga e shkuara komuniste, ka reaguar sot me një mesazh ku flet pikërisht për Kastriot Islamin dhe pozitat e tij të forta në PD. Me sa duket, ai është ngacmuar nga ndjekës të tij në facebook, pasi ka shkruar shpesh për ata që ai i quan komunistë të PD-së…
Një sqarim për miqtë e mi në Facebook
Unë dhe familja ime kemi vuajtur nga regjimi Komunist. Atë që kanë hequr prindrit e mi në atë regjim nuk do t’ia fal askujt. Nuk me intereson me cilën parti janë këta kriminele me PD-në apo me PS-në apo dreqin e mallkuar, për mua komunistët janë kriminelë dhe krimineli nuk ka as ngjyrë as flamurë. Në qoftë se dikujt i vjen keq që kriminelët e PD-së nuk duhen ngacmuar, ta dinë mirë që as që më bëhet vonë fare. Sepse PD është ajo që më detyrohet më shumë se tek PS e dimë që janë kriminelë e qen bir qensh por PD që i besuam e investuam gjysmën e jetës dhe sot më mban Kaçin kordinator e sa e sa komunistë të tjerë . Armikun e dimë që e kemi armik po kur armiku të ulet këmbëkryq në shtëpi atij çfarë t’i bësh. Behet edhe i parë shtëpie të merr edhe vendin. Kaçi deputet e ne në kurbet… në djall vaftë PD e PS. Kur dikush të vret shpresën të ka marrë jetën. Pra kujt nuk i pelqejnë shkrimet e mia është i lirë të largohet, unë nuk i lepihem vrasësve të familjes time”, shkruan Kujtim Çekani.