Kërcënimi i Nolit: “Të ndalet largimi i shqiptarëve nga trojet e veta… në fillim marrëdhëniet bëhen të këqija, pastaj vijnë konfliktet dhe pastaj lufta“ dhe përgjigja alla greke e N.Polis: “Nuk ekziston ky problem midis dy vendeve”
92 vite më parë, në Lidhjen e Kombeve është zhvilluar një debat i ashpër mes kryeministrit të Shqipërisë, Fan. S. Noli dhe përfaqësuesit të qeverisë greke, N.Polis, për çështjen çame.
Fakte, argumente bindëse dhe një gjuhë e fortë e kryeministrit të Shqipërisë, Fan. S. Noli në këshillin e Kombeve të Bashkuara, vuri në atë kohë, në një pozitë mjaft të vështirë përfaqësuesin e qeverisë greke, për atë çfarë po ndodhte më popullsinë e minoritetit shqiptarë në Greqi, në krahinën e Çamërisë. Ishte koha kur qeveria greke po përznite me forcë popullsinë çame duke e zhvendosur në Turqi. Ishte koha e këmbimit të popullsisë bazuar në marrëveshjene Lozanës. Qeveria Noli kishte paraqitur një notë proteste në Lidhjen e Kombeve dhe më 29 shtator 1924, zhvillohej seanca e bisdeimeve mes përfaqësuesve të dy vendeve për këtë çështje. Në emër të qeverisë së Shqipërisë, kryeministri Fan Noli, paraqiti argumente bindëse dhe përballë tij përfaqësuesi i greqisë, si gjithnjë, pa argument, me dredhi iu largua zgjidhjes së atij problem të madh që kishte tronditur Lidhjen e Kombeve.
Me një përgjigje paradoksale, përfaqësuesi i Greqisë, përpiqet të minimizojë problemin duke përdorur shprehjen që edhe sot përdoret nga grekët rëndom, kur është fjala për çështjen çame: “është një çështje që nuk ekziston”. Përfaqësuesi grek kishte përballë kryeministrin e Shqipërisë dhe kur i duhej të përgjigjej për masakrën që po kryente qeveria e tij, thoshte në mënyrë krejt të papabzë: Nuk mund të pranohet që në këtë çështje ka një kundërvënie midis Greqisë dhe Shqipërisë. Nuk ekziston midis dy vendeve. Çështja ka lidhje vetëm me regjimin e minoriteteve dhe nuk mund të shqyrtohet përveçse midis Këshillit të Lidhjes së Kombeve dhe qeverisë helenike, sipas procedurës së zakonshme të adoptuar nga Këshilli lidhur me minoritetet”.
Siç duket është po njësoj sjellja e sotme e qeveritarëve grekë për çështjen çame.
Më posht publikohet debate mes Nolit dhe përfaqësuesit të qeverisë greke, për përzënien e popullsisë çame drejt Turqisë.
Seanca u zhvillua më 29 shtator 1924 në mbledhjen e Këshillit të Lidhjes së Kombeve.
Debati
*Mgr. F.S.Noli, përfaqësues i Shqipërisë dhe N.Politis përfaqësues i Greqisë, ulen në tryezën e Këshillit.
1. Quinones de Leon, raportues, me qëllim që të mund të përgatisë raportin e vet propozon, që përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Greqisë ta ekspozojnë çështjen në Këshill
Mgr. F.S.Noli, përfaqësuesi i Shqipërisë, deklaron:
“Në raportin e delegacionit të komisionit mikst, të ngarkuar me shkëmbimin e popullsive myslimane të Epirit dhe Maqedonisë, më datë 2 qershor 1924, në Athinë, ndërmjet të tjerave lexojmë këto dy paragrafë të rëndësishëm: Procesverbalet që u përmënden më lart, i janë aneksuar këtij raporti. Nga leximi i tyre nxirret përshtypja që nuk lejon të kihet asnjë dyshim, se shumica e madhe e myslimanëve që janë nënshtetas grekë dhe banorë të Epirit dhe të Maqedonisë, pa hezitim deklarohen me origjin turke dhe, si rrjedhojë, dëshirojnë që të përfshihen në këmbim.”
“Nuk ka përveç se minoriteteve më të vogla në lokalitete të ndryshme që vetëquhen me origjinë shqiptare, dhe, si rrjedhojë kërkojnë të përjashtohen nga këmbimi i detyruar.”
Nga këto dy paragrafe rezulton se shumica e shqiptarëve myslimanë të Greqisë janë përfshirë në këmbimin, sepse është një e vërtetë e pamohueshme se myslimanët e Epirit nuk janë gjë tjetër përveç se shqiptarë.
Si ka ndodhur që komisioni mikst, duke patur si pikënisje parimin e përjashtimit të shqipëtarve myslimanë të Greqisë nga këmbimi, ka arritur në përfundimin të përfshijë këmbimin e shumicës së madhe të shqipëtarve? Për ta shpjeguar këtë paradoks nuk mbetet përveç se të studiohet procedura e ndjekur nga komisioni, për të përcaktuar ata që do të duhej të shkëmbeheshin. Kjo bazohet kryesisht mbi origjinën, mbi ndërgjegjen kombëtare dhe mbi dëshirën e shqipëtarve myslimanë për të qënë të përfshirë në këmbimin. Kjo proçedurë e komplikuar ka qënë fatale për shqiptarët muhamedanë të Epirit, sepse ajo ua ka lënë të hapur portën të gjitha llojeve të shtypjeve të ndërmarra nga autoritet greke.
Ka qënë puna më e lehtë në botë për autoritetet greke për t’i bindur shqipëtarët që të pretendojnë se janë me origjinë turke, për t’u deklaruar se janë me ndërgjegje kombëtare më turke se ajo e vetë turqëve dhe të shpallnin dëshirën e tyre të flaktë për të braktisur vatrat e tyre shekullore dhe për të emigruar drejt tokave të premtuara të Azisë së Vogël, të cilat gjithë bota e di se janë tërësisht të shkretuara nga luftrat e përgjakshme që s’kanë kursyer asgjë dhe që shpunë në Traktatin e Lozanës.
Sidoqoftë fakti është ky: shumica e shqiptarëve të Epirit janë detyruar të emigrojnë në masë në Azinë e Vogel si turq me nënshtetësi greke të këmbyeshëm. Ky fakt i pamohueshëm e ka bërë shumë të ndjeshëm opinionin publik shqiptar dhe përbën një rrezik për paqen dhe marrëdhëniet e mira midis dy shteteve fqinj. Nga ana tjetër, qeveria shqiptare është preukopuar nga masa e refugjatëve shqiptarë që na vijnë nga rreshtat e shqiptarëve, tanimë të këmbyer si turq, të cilët, pasi u shpunë në Azinë e Vogël, vërtetuan se qeveria turke nuk dispononte fondet e nevojshme për t’i instaluar. Është e tepërt t’ju them që, nëse Turqia nuk disponon fondet e nevojshme për t’i instaluar këta emigrantë, Shqipëria e cila është pambarimisht më e varfër, i disponon ca më pak ato. Në interes të marrëdhënieve të mira mes Greqisë dhe Shqipërisë dhe në rradhë të dytë, për t’i kursyer Shqipërisë, e cila aktualisht ndeshet me vështirësi të tjera financiare dhe në rradhë të tretë, për t’ia kursyer popullsisë shqiptare myslimane të Epirit, martirizimin e dëbimin në masë, i lutemi Këshillit të Lidhjes së Kombeve të ndërhyjë pranë Greqisë që ajo të përjashtojë nga këmbimi i detyruar, pa i bërë që ata të kalojnë nën bigat e një inkuizicioni lidhur me origjinën e tyre ose ndërgjegjen e tyre, shqiptarët e Epirit. Greqia mund ta bëjë fare lehtë duke përjashtuar nga këmbimi gjithë krahinën e Epirit, e cila është banuar në mënyrë të pakundërshtueshme nga shqiptarët, të vendosur në këtë krahinë qysh prej kohërave që nuk mbahen mënd, me përjashtim të qyteteve të Janinës dhe Prevezës, në të cilat ka disa myslimanë që nuk janë shqiptarofonë.
Nga ana tjetër, M. Kaklamanosi, delegat i Greqisë në Konferencën e Lozanës, ka deklaruar përpara nënkomisionit për këmbimin e popullsive, në seancën e 19 janarit 1923, se shqiptarët banojnë në krahinë të përcaktuar saktë në Epir.
Politis, përfaqësues i Greqisë:
Do të doja t’i përgjigjesha jo vetëm shkelqesisë së tij. Mgr. Nolit, por tërësisht notës që sekretari i përgjithshëm (aneksi 686) ka përgatitur dhe ku zhvillohet një teori e tërë, e cila gjer tani s’ka pasur gjë tjetër, përveçse premise. Qeveria greke është akuzuar që nuk i përmbahet një premtimi të bërë në Lozanë dhe shprehet keqardhja se masat që janë marrë nga Lidhja e Kombeve nuk janë të mjaftueshme. Do të isha shumë i lumtur të mësoja që qeveria shqiptare heq dorë nga kërkesat që na ka bërë me shkrim. Sidoqoftë, gjer në një urdhër të ri, konsideroj si ekzistuese.
Ajo çka dua të them në emër të qeverisë greke, të cilën kam nderin të përfaqësoj, është se këtu nuk mundem të hyj në diskutimin e pretendimeve të qeverisë shqiptare. Po të doja ta bëja, do të kisha shumë për të thënë, do të mund të demonstroja se në çfarë shkalle janë kontradiktore ndaj liberalizmit sa më elementare këto dy teori që unë pashë, me surprizë, të trajtuara në notën e qeverisë shqiptare: se duhet të mbahet parasysh vetëm gjuha që flet një popull për të ditur se çfarë sentimenti ka ai, si dhe ndërgjegja kombëtare. Sipas një llogarie të tillë, vendi im nuk mund të reklamonte Mgr. Noli, i cili merret veshë me mua greqisht dhe Shqipëria mund të na rrëmbente Presidentin e Republikës helenike, Kundurjotin, i cili në intimitetin e vatrës së tij familjare nuk flet përveçse shqip.
Quinones de Leon thotë se i dëgjoi me vëmendje të madhe ekspozetë që iu paraqitën Këshillit. Çështja është shumë delikate dhe ai propozon që të shtyhen për një seancë tjetër.
Mgr. F. Noli:
Konstantoj se zoti Politis nuk e mohoi faktin se shumica e myslimanëve të Epirit po i nënshtrohet këmbimit; ai u orvat të përligjte përfshirjen e shqiptarëve në këmbim.
Politisi:
Nuk e kam pranuar aspak një gjë të tillë. Thashë se pretendimi i dhënë është mbajtur dhe do të vijohet të mbahet. Shtova se Greqia është e gatshme të pranojë kontrollin e Lidhjes së Kombeve.
Mgr. Fan Noli:
Në realitet zoti Politis ka dashur t’i përfshijë duke u bazuar në dëshirën e vetë atyre për të emigruar në Azinë e Vogël. Pra, kjo dëshirë është shprehur në mënyrë të lirë?
Shqipëria nuk ka dashur të ndërhyjë në punët e brendshme të Greqisë. Kjo nuk është një ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë. Kjo nuk është një ndërhyrje, ne thjesht po i bëjmë thirrje Lidhjes së Kombeve që të zgjidhet një mosmarrëveshje, e cila ekziston midis Greqisë dhe Shqipërisë. Nuk besoj që ajo mund të shkaktojë rrezikun e luftës, por shkallë-shkallë po shkohet në luftë; marrëdhëniet bëhen të këqija, pastaj vijnë konfliketet dhe pastaj lufta.
Polis:
Pretendimi i dhënë nga qeveria helenike, në fakt është mbajtur. Dokumentet zyrtare që keni përpara syve e konstatojnë në mënyrë sa më të sigurtë. E përsëris se qeveria helenike është e gatshme të pranojë kontrollin e Lidhjes së Kombeve; por nuk mund të pranohet që në këtë çështje ka një kundërvënie midis Greqisë dhe Shqipërisë. Nuk ekziston midis dy vendeve. Çështja ka lidhje vetëm me regjimin e minoriteteve dhe nuk mund të shqyrtohet përveçse midis Këshillit të Lidhjes së Kombeve dhe qeverisë helenike, sipas procedurës së zakonshme të adoptuar nga Këshilli lidhur me minoritetet.
Mgr. Fan Noli:
Nga raporti i komisionit mikst të ngakruar në këmbimin e popullatave, kam nxjerrë informatat mbi shqiptarët myslimanë. Ky raport thotë se vetëm një pakicë mjaft e ngushtë është deklaruar me origjinë shqiptare. Ja fakti.
(Këshilli me sygjerimin e raportuesit e shtyn çështjen për një seancë të mëtejshme)