Nënkryetari i Kuvendit, Shpëtim Idrizi i ka çmuar qëndrimet e kreut të qeverisë Rama në lidhje me Çështjen Çame, por dhe problemet e tjera të pazgjidhura me Greqinë.
Ja si është shprehur kreu i PDIU-së në një deklaratë të shkurtër në rrjetet sociale:
I konsideroj korrekte dhe me dinjitet qëndrimet e kryeministrit Edi Rama gjatë intervistës dhënë televizionit grek, SKAI. Opinionet e kryeministrit të Shqipërisë për Çështjen Çame, me gjithë dimensionin e saj njerëzor për diskriminimin dhe dhunimin e të drejtave të njeriut edhe sot e kësaj dite, janë mëse korrekte. Anëtarët e komunitetit të shqiptarëve të Çamërisë ende sot e kësaj dite e kanë të pamundur të lëvizin lirisht në Greqi, një vend europian, megjithëse kemi liberalizimin e vizave prej shumë vjetësh.
Pavarësisht lirisë së lëvizjes, të njohur tashmë nga të gjithë vendet anëtare të Shengen, ku bën pjesë edhe Greqia, çamët nuk mund të shkojnë as të vizitojnë vatrat e tyre. As që bëhet fjalë këtu për ushtrimin e të drejtave pronësore apo të kenë varrezat e tyre në Çamëri për të rënët e genocidit të Napoleon Zervës a të partizanëve të rezistencës nazi-fashiste.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me këtë qëndrim të dinjitetshëm ka marrë guximin të davarisë fantazmat e të shkuarës duke dhënë një kontribut të çmuar që vetë Greqia të çlirohet prej tyre.
Kreu i qeverisë së Tiranës nuk ka bërë as më shumë e as më pak sesa ka rrëfyer madhështinë e Kombit shqiptar në respektimin e të drejtave të minoriteteve, pavarësisht se bashkëkombësit e këtyre pakicave kanë ushtruar dhunë dhe genocid ndaj vetë shqiptarëve.
Mesazhi im është që ne, shqiptarët luftojmë çdo ditë me forcën e shembullit të mirë dhe jo me parimin “sy më sy dhe dhëmb për dhëmb”.