Brumatriçet asgjësuan tonelata dosjesh rreth 29 000 dosje të arkivuar në organet e Sigurimit të Shtetit. Procesi vazhdoi për rreth një vit ndërkohë që Ministria e Brendshme drejtohej nga Gramoz Ruçi
Më 4 dhjetor 1989, në Erfurt në Gjermaninë Lindore, qytetarët mësynë zyrat e STASI-t, pasi në orët e para të mëngjesit vunë re tymin e bardhë që po dilte nga godina e STASI-t, ku po digjeshin dosjet. Zyrtarët e STASI-t, kishin nisur përpjekjet për të zhdukur gjurmët e krimit gjatë diktaturës. Por, populli i Gjermanisë Lindore nuk i lejoi ata. Pas krijimit të Komisionit Special në vitin 1990, dosjet u hapën për qytetarët në vitin 1992.
Ndërsa në Shqipëri, plot një vit më vonë, ministri i Brendshëm i diktaturës, Hekuran Isai urdhëroi zhdukjen e dosjeve të Sigurimit. Më 15 dhjetor 1990, pak ditë para se komunistët të dorëzonin pushtetin, Hekuran Isai u kujdes nën urdhërat e udhëheqjes të zhdukë gjurmët e krimit. Urdhri u dha nga Hekuran Isai i cili pas pak javësh do të largohej nga kjo detyrë bashkë me udhëheqjen e PPSH-së, për t’i hapur rrugën më të rinjve komuniste, të cilët do të zbatonin me përpikmëri planin për zhdukjen e gjurmëve të krimit.
Brumatriçet asgjësuan tonelata dosjesh rreth 29 000 dosje, rreth 75 % e dokumentacionit të arkivuar në organet e Sigurimit të Shtetit. Vetëm në një orë asgjësoheshin 800 kg dosje. Dokumenti në Arkivën e Shtetit e vërteton aktin e fundit komunist, zhdukjen e gjurmëve të krimit të tyre.
Zhdukja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit ka nisur më 15 dhjetor 1990, pak ditë para se regjimi komunist të dorëzonte pushtetin. Procesi ka vazhduar deri në vitin 1992 dhe për të kryer zhdukjen e dosjeve të Sigurimit, ka shërbyer brumatriçja një mjet që ekzistonte në çdo degë të brendshme në të gjithë vendin. Këto brumatriçe gllabëruan dokumentet që faktonin të gjitha krimet komuniste për 45 vjet diktaturë.
Ky dokument që 27.al publikon sot ka një vlerë shumë të madhe për të kuptuar secilin nga elita shqiptare e këtyre 26 viteve në raport me dosjet. Dosjet e Sigurimit u asgjesuan nën kujdesin e zyrtarëve të lartë të shtetit komunist në vitin e fundit të tyre në pushtet. Por, ajo që është me frikshme është fakti që procesi është kryer nga i fundit ish-ministër i Brendshëm i komunizmit, Gramoz Ruçi, i cili sot vazhdon të jetë në politikë, si një ndër drejtuesit më të rëndësishëm të Partisë Socialiste, e cila sot qeveris vendin.
Dokumenti
Dokumenti që publikon sot 27.al, është një telegram i 15 dhjetorit 1990 i ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, dërguar kryetarëve të degëve të punëve të brendshme në gjithë rrethet e Shqipërisë, ku jepet urdhër për asgjesimin në masë të dokumeteve sekrete.
“Të asgjësohen pa pritur përfaqësuesin e Ministrisë, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve, të përpunimeve dhe dosje te tjera që janë veçuar për asgjësim si dhe kartelat e kontigjenteve të hequr, librat e evidencës të punëtorëve operativë të hequra nga përdorimi dhe dokumenteve të përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës sekret, Ares personal dhe SRV (Sekret i rëndësisë së veçantë) dosjet hetimore e gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi dhe ato që nuk kanë plotësuar afatin pesë vjeçar, (por jo dosjet hetimore për zbulim autori). Veprimet të kryhen menjëherë. Këto janë veprime normale dhe bëhen sipas kërkesës tuaj, pra nuk lidhen me situatën.
Na informoni për realizimin e detyrës.
Ministri i Punëve të Brendshme
Hekuran Isai”
Sipas burimeve arkivore mendohet se gjatë viteve 1990-1992 janë asgjësuar rreth 29 000 dosje, ose rreth 75 % e dokumentacionit të arkivuar gjer atëherë.
Më poshtë botohen dokumente se si ishte projektuar e funksiononte brumatriçja.
Materialet janë marrë nga Bunk’art