Po vjen dita e të dashuruarve dhe të dhurosh një libër është një zgjedhje e bukur, aq më shumë kur këto libra janë libra që i kushtohen dashurisë. Më poshtë po ju ofrojmë një listë me 7 libra të përshtatshëm si dhuratë për të dashurit tuaj.
- “Dashuria është një defekt i mrekullueshëm” nga Graeme Simsion
Don Tillmani do të martohet. Vetëm se nuk e di ende me kë.Projekti i Gruas do ta zgjidhë këtë problem. Ai ka hartuar një pyetësor prej gjashtëmbëdhjetë faqesh për ta ndihmuar që të gjejë partneren e përkryer. Në mënyrë kategorike, ajo nuk duhet të jetë banakiere, duhanpirëse, alkoliste apo njëra nga ato që vjen me vonesë në takime. Rozi Xharmani i ka të gjitha këto gjëra. Ajo është gjithashtu e shkathët, e zgjuar dhe e bukur. Dhe po bën një kërkim për të gjetur babanë e saj biologjik – një kërkim për të cilin Doni, profesor gjenetike, mund të jetë në gjendje ta ndihmojë. Projekti i Gruas i mëson Donit disa gjëra të paparashikuara. Pse gjatësia e llapës së veshit është një tregues i pamjaftueshëm i joshjes seksuale? Pse akullorja shijon ndryshe në Nju-Jork? Pse ai nuk ka shkuar asnjëherë në një takim të dytë dashuror? Dhe pse, me gjithë përpjekjet më të mira shkencore, ti nuk e gjen dot dashurinë: dashuria të gjen ty. “Bota do të dashurohet me Donin dhe Rozin dhe mua nuk më pritet deri sa kjo të ndodhë”, shkruan Jill Mansell për librin.
- “Gjuha e fshehtë e luleve” nga Vanessa Diffenbaugh
Viktoria ka frikë nga kontakti fizik. Ka frikë nga fjalët, nga fjalët e saj dhe ato të të tjerëve. Por sidomos ka frikë të dashurojë dhe të lejojë ta dashurojnë. Ka vetëm një vend ku frika e saj tretet në heshtje dhe në paqe: ai është kopshti i saj i fshehtë në lulishten publike të Portero Hill- it në San Francisko. Lulet që ka mbjellë me duart e veta në këtë cep të panjohur të qytetit janë shtëpia e saj. Streha e saj. Zëri i saj. Pikërisht nëpërmjet gjuhës së luleve, Viktoria shpreh emocionet e saj më të thella. Livanda për mosbesimin, carangthi për mizantropinë, trëndafili i bardhë për vetminë. Sepse Viktoria nuk ka pasur një jetë të lehtë. E braktisur që në djep, e ka kaluar fëmijërinë duke u hedhur sa te njëra familje birësuese te një tjetër. Deri në takimin dramatik dhe tronditës me Elizabetën, e vetmja nënë e vërtetë që ka pasur ndonjëherë, gruaja që ia mësoi gjuhën e fshehtë të luleve. Dhe tani, pikërisht falë kësaj dhuntie magjike, ka marrë në dorë jetën e saj: tashmë është tetëmbëdhjetë vjeçe dhe punon si luleshitëse. Lulet e saj janë ndër më të kërkuarat në qytet, dhurojnë lumturi dhe shërojnë shpirtin. Por Viktoria nuk e ka gjetur ende lulen që është në gjendje të përthajë plagën e saj. Sepse zemra e saj mban brenda një faj të fshehtë. I vetmi që arrin t’ia shkulë me rrënjë është një djalë që duket se di gjithçka për të. Vetëm ai mund ta heqë atë barrë nga zemra e Viktorias, si gjembat që i hiqen një kërcelli. Vetëm ai mund të kujdeset për rrënjët e saj të padukshme. Vetëm kështu zemra më e ashpër e trëndafilit të bardhë mund të bëhet e kuqe nga pasioni.
- “Pallati Soljano” nga Sveva Casati Modignani
Nga autorja italiane më e dashur, historia e re dhe e apasionuar e një familjeje madhështore, midis dashurive, dritave e hijeve, gëzimeve dhe hidhërimeve, sukseseve dhe dështimeve, brenda kornizës së një mjedisi sa të pazakontë, aq edhe joshës dhe pak të njohur: ai i koralit, materialit të çmuar e misterioz që lind në det. Është mbrëmje maji, kur në pallatin Soljano – ndërtesa e shtatëqindtës e dinastisë së koralarëve të Kullës së Grekut – bie telefoni. E gjithë familja është mbledhur në tryezë për të ngrënë drekën: Ursula, e shoqja e Eduardit; të pesë fëmijët e tyre; Margarita, e vjehrra; dhe dy bijat e saj. Të gjithë janë në pritje që Eduardi të kthehet. Ursula ngre receptorin dhe nëpërmjet zërit me ton zyrtar të një polici njoftohet se i shoqi ka humbur jetën në një aksident automobilistik. Dhe ja tek vjen goditja e tmerrshme: dashuria e tyre tridhjetëvjeçare që përfundon sa hap e mbyll sytë. Ursula nuk mund ta dijë se ajo dhimbje e beftë, në vetëm pak kohë ka për t’u kthyer në një dhimbje edhe më të fortë, në çastin kur zbulon disa fotografi të bashkëshortit, ku ka dalë një djalosh me sytë me bisht dhe ku shkruhet: “Yt bir, Stivi”. Dhe, nga kjo nisje befasuese e romanit, Sveva Casati Modignani na kthen pas në kohë për të na rrëfyer historinë e dashurisë së Ursulës – milanezja e lirë dhe e pavarur, bijë e një këpucari – dhe të Eduardit – trashëgimtari i familjes më të rëndësishme të koralarëve të Kullës; por edhe historia e matriarkes Margaritë, një grua tipike jugore, krenare, pasionante e shpirtgjerë; por edhe historia e fëmijës së ndodhur gjetkë. Përpos kësaj, Ursula do të zbulojë se Eduardi nuk është i vetmi Soljano që fsheh një sekret; fundja, edhe ajo vetë e ka ruajtur besnikërisht sekretin e saj dhe nuk e ka rrëfyer kurrë.
- “Ha, lutu, dashuro” nga Elizabeth Gilbert
Tek të tridhjetat, Elizabeth Gilbert ka gjithçka që do të dëshironte një grua moderne amerikane – bashkëshortin, një shtëpi në fshat, karrierë të suksesshme – por në vend që të ndihet e lumtur dhe e realizuar, atë e kap paniku dhe pështjellimi. Ky libër, i shkruar me mençuri dhe që të rrëmben, shpalos historinë e saj: si i la pas të gjitha sukseset dhe çfarë gjeti në vend të tyre. Pas divorcit dhe një depresioni dërmues, Gilbert-i vendos të hulumtojë tri aspekte të natyrës së saj dhe të përballet me tri kultura të ndryshme: me kënaqësinë në Itali, me përkushtimin në Indi dhe me baraspeshën mes kënaqësive të jetës e hirit hyjnor në Bali, në ishullin e Indonezisë. Rrëfimi ironik dhe i çlirët për udhëtimin e saj të jashtëzakonshëm, e shtyn edhe lexuesin më mosbesues që të ëndërrojë të shkojë e ta takojë Perëndinë në guvat e thella të meditimit në Indi apo, ndoshta, në ndonjë copë pice transcendente.
- “Një skeptike bën paqe me martesën” nga Elizabeth Gilbert
Në fund të librit aq të dashur “Ha, lutu, dashuro”, Elizabeth Gilbert bie në dashuri me Felipen, një brazilian që jeton në Indonezi. Çifti u betua për dashuri të përjetshme, por gjithashtu të dy u betuan se (si të mbijetuar pas divorcesh të vështira), nuk do të martoheshin kurrë më. Por befas, kur Felipe mori një urdhër të papritur – nga autoritetet e imigracionit – për të mos shkelur në ShBA, çifti u përball me një ultimatum të padiskutueshëm: ose të martoheshin, ose Felipe nuk do të lejohej më kurrë të futej në Amerikë.Në dhjetë muajt e ardhshëm, ndërsa Elizabeth dhe Felipe udhëtojnë nëpër Azinë Juglindore, në pritje të marrjes së lejes për t’u kthyer në shtëpi dhe për t’u martuar, autorja bën kërkime të hollësishme në fushën e historisë, këshillimit dhe perspektivave në lidhje me betimin romantik.Pajisur me një veçanti të rrallë në të shkruar, inteligjencë dhe pasion, “Një skeptike bën paqe me martesën” është një meditim joshës për përshtatshmërinë, besnikërinë dhe familjen – dhe, së fundmi, një celebrim i shkëlqyer i dashurisë.
- “Lartësitë e stuhishme” nga Emily Bronte
Duket sikur ajo i resit të gjitha ato që dimë për qeniet njerëzore dhe i mbush pamjet delikate e të tejdukshme me një fllad të atillë jete sa ato e kapërcejnë realitetin. Pra, ajo zotëron më të rrallin e të gjitha pushteteve. Ajo e çliron jetën nga vartësia prej fakteve, me prekje të lehta ajo na tregon shpirtin e një fytyre në mënyrë të tillë që nuk ka nevojë të ketë më një trup: duke folur për rrafshinën pa bimësi, ajo bën që të fryjë era dhe të gjëmojë moti. Kështu do të shprehej për këtë libër Virginia Ëolf,shkrimtare dhe eseiste angleze.
- “A të kam folur ndonjëherë për erën e veriut?” nga Daniel Glattauer
A ka mundësi të ekzistojë në realitetin e përditshëm një strehë më e mbrojtur për ndjenjat më të thella se ajo virtuale?“Emi më shkruan. Të shkruash është si të puthësh, veçse pa buzë.” Një roman epistolar dashurie në epokën e internetit: një e-mail i dërguar në një adresë të gabuar, një përgjigje kortezie… e dalëngadalë mes Emit, një grua e martuar, dhe Leos, i përfshirë në një lidhje të konsumuar tashmë, krijohet një raport që nis si një lojë apo shaka dhe forcohet pas çdo e-mail-i duke u shndërruar në një pasion të furishëm. Pyetja është: a do t’i mbijetojë kjo dashuri takimit të parë të vërtetë? “Një nga dialogët më tërheqës të dashurisë në letërsisë e sotme.”, shkruan për librin Der Spiegel
/27.al/