Sipas ministrisë së Bujqësisë mbi 1000 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë si pasojë e reshjeve të shiut rënë gjatë ditës së sotme por edhe gjatë natës. Situata më problematike është në Kurbin, ku janë rreth 500 ha tokë nën ujë.
Po ashtu situata është problematike edhe në Dibër, ku Drini i Zi ka prurje të mëdha duke rrezikuar banesa në Gjoricë. Është ndërhyrë në argjinaturat mbrojtëse në Gjoricë. Në kanalin ujitës të Klosit, i cili shërben edhe si kanal i ujërave të larta ka demtime nga prurjet e shumta dhe rëshqitjet e tokës.
Ndërsa në Sarandë ka dalje nga shtrati i lumit Bistrices, Pavllos dhe Kalases duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore. Në hidrovorin e Cukës në Sarandë ka pasur ndërprerje të energjisë, por aktualisht hidrovori është në punë.
Ndërkohë në Qarkun Lezhë, situata është si më poshtë:
Reshjet vazhdojnë, por me intensitet më të ulët se ditë më parë. Kanë rënë rreth 30mm shi. Drini është në kuotë 1.1 nga 2.2 që është pika kritike. Aktualisht janë nën ujë:
– Torovicë rreth 300 ha
– Zejmen-Shenkoll rreth 180 ha ( kryesisht keneta e Spitenit dhe Treshit )
– Barbulloje, (Njesia Administrative Kolsh ) rreth 100 ha.
– Dajç-Blinisht rreth 25 ha
Më problematike ngelet situata në Kurbin, ku sipas informacioneve nga terreni rezulton të jenë rreth 500 ha nën ujë. Nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike. Ndërsa hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë.