Prokuroria e Sarandës ka sekuestruar një hotel 6-katësh të quajtur “Oasis”, në pronësi të Alqi Papa.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas burimeve hetimore, objekti dyshohet të jetë pjesë e një procedure pasurore që lidhet me hetime në vazhdim, ndërsa vendimi i sekuestrimit është ekzekutuar nga autoritetet kompetente.
Alqi Papa është vëllai i biznesmenit Edmond Papa që u ekzekutua në zonën e Selitës në Tiranë.
Si ndodhi ngjarja?
49-vjeçari Edmond Papa, u ekzekutua më 16 dhjetor 2022, rreth orës 16:30 në zonën e Selitës në Tiranë, teksa ishte në një lokal aty pranë, në rrugën “Fadil Bodinaku”. 49-vjeçari u dërgua në spital, por nuk arriti që t’u mbijetonte plagëve të marra. Në momentet që është afruar në ambientet e jashtme të lokalit Papa ka reaguar dhe ka qëlluar në drejtim të tij me mjetet që ka pasur përpara, tavëll duhani dhe të tjera. Në këtë moment autori ka qëlluar me plumba pistolete 9 herë dhe menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes po në këmbë. Ka dyshime se është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar, por akoma nuk ka asnjë të dyshuar.
Edmond Papa ishte me precedent në Greqi, i dënuar për trafik droge si dhe i skeduar më parë në Britani të Madhe. Sipas burimeve, ai kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri. Për ngjarjen ka dy pista hetimesh, konflikte të mundshme në Greqi dhe konflikte për pronën. Viktima ishte pronar i hotel ‘Blue Sky’ në Sarandë.










