Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Në kërkesë, Xoxa ka përmendur shtatzëninë, si edhe komplikacione shëndetësore që, sipas saj, i kanë përkeqësuar gjendjen kohët e fundit.
Kërkesa është aktualisht në pritje të shqyrtimit nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, e cila është edhe gjyqtare themeli në procesin ndaj Veliajt dhe personave të tjerë të përfshirë.
Ajola Xoxa është lënë në masën “detyrim paraqitje” lidhur me dosjen Veliaj, ku rezultonte se Xoxa ishte e përfshirë në skema abuzimesh me fondet publike. Sipas SPAK, Veliaj edhe bashkëshortja e tij, Xoxa kanë ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal dhe familjar përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Xoxën për “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Fillimisht ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa pas seancës së vlerësimit të masës, GJKKO vendosi “detyrim paraqitje”.
gijotina.com/










