Huatë me probleme kanë shënuar një ulje fare të lehtë në shtator, duke zbritur në 21.3%, nga 21.4% që kërcyen muajin e mëparshëm dhe duke qenë shumë larg nivelit prej 18.2% ku zbritën në dhjetor të vitit të kaluar.
Në vlerë huatë e pakthyera në afat në sistemin bankar jë rreth 117 miliardë lekë, apo rreth 850 milionë euro, apo rreth 7.7% e prodhimit të brendshëm bruto (PBB). Nga këto rreth 400 milionë euro janë klasifikuar si të humbura, çka do të thotë se kanë më shumë se një vit që nuk kthehen.
Rritja sërish e huave me probleme gjatë këtij viti ka ardhur nga disa falimentime të mëdha, ku më kryesori është kompania e prodhimit të çelikut Kurum. Falimenti praktik i kompanive të sektorit VIP dha një efekt zinxhir në moskthimin e kredisë në muajt e fundit (korrik dhe gusht). Kompanitë nënkontraktore të lidhura me ARMO dhe KURUM kanë nisur të mos shlyejnë. Ky efekt domino pritej nga bankat, pasi në praktikë, kur një korporatë e madhe humb aftësinë kredishlyese pak muaj më vonë shfaqet ky fenomen edhe te nënkontraktorët.
Por bankierët pohojnë se edhe huatë, në sektorë që janë konsideruar historikisht si të mira, po shfaqin vonesa në pagesa.
Shpenzimet e larta për provigjionime, që bankat vunë mënjanë për të mbuluar huatë me probleme, ishin një nga arsyet kryesore që çuan në përgjysmimin e sistemit bankar për 9 mujorin e këtij viti, 6.5 miliardë lekë, nga 11.3 miliardë lekë për të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie prej 44%. http://www.monitor.al/pergjysmohet-fitimi-sistemit-bankar-per-9-mujorin-goditen-nga-kredite-e-keqija/
Banka e Shqipërisë është duke azhurnuar një plan të ri masash shtesë, nëse përpjekjet e qeverisë për të miratuar ligjin e ri për falimentin dështojnë. Në një qëndrim të posaçëm për ‘Monitor’, Banka e Shqipërisë ka zbardhur një pjesë të këtij plani.
Themelore në këtë proces është provigjionimi i plotë i huave me probleme.
Banka e Shqipërisë njoftoi se do të nxisë bankat të provigjionojnë përtej vlerave minimale të përcaktuara në aktet rregullatore, në bazë të klasifikimit që i bëjnë kredimarrësit. Ndonëse nga një këndvështrim afatshkurtër, kjo mund të jetë më e kushtueshme për bankat, në afat të gjatë, ajo garanton stabilitet më të qëndrueshëm të rezultatit financiar, edhe në rastet e falimentimit të kredimarrësve. Fondi i krijuar i provigjioneve për mbulimin e humbjeve ka një vlerë të konsiderueshme, pasi ai mbulon rreth 65% të të gjithë portofolit të kredive me probleme. Banka e Shqipërisë thotë se, nëse në llogaritjen e treguesit të kredive me probleme do të merreshin në konsideratë vetëm kreditë e pambuluara me provigjione, atëherë ky tregues do të zbriste në nivelin 7,6%, duke u përafruar shumë me vlerën neto të këtij treguesi në vendet europiane.
Nga këndvështrimi i mbikëqyrjes bankare, Banka e Shqipërisë po e trajton problemin në tre drejtime që kanë të bëjnë, së pari me forcimin e kritereve në banka për të zbutur ritmin e krijimit të kredive të reja me probleme; së dyti, me trajtimin e stokut të kredive me probleme dhe së treti, ruajtjen e nivelit të mirëkapitalizimit të bankave, gjatë këtij procesi.
/monitor/