Pikërisht sot, kur grekët e kërcënojnë Shqipërinë me veto për anëtarësimin në Bashkimin Europian për ca shtëpi që do prishen në Himarë, kryeministri është marrë jo pa qëllim me një gravurë të vjetër të Akropolit. Sipas tij, ky monument i mahnitshëm është atje, falë edhe shqiptarëve që nuk lejuan bombardimin e tij nga flota venedikase.
Në përqasjen e tij të shkurtër ai nuk harron të theksojë që Himara është shqiptare me gërma të mëdha, sikur u thotë copë grekëve që mos u merrni me një tokë arbërore dhe ndërtimet me leje dhe pa leje të atjeshme.
Më poshtë përqasja e Edi Ramës:
AMARCORD
Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet, në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.
Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE.