Në një shkrim në rrjetet sociale, sipas Spahiut duket që Shukriu ka halle të tjera. Aq sa të mos njohë më as votuesit e tij, qytetarët e Peshkopisë, investitorë të huaj, deputetë, madje edhe Kryeministrin e tij.
Ja mesazhi i plotë i ligjvënësit, i cili mendohet që së bashku me mbështetësit e tij janë arsyeja kryesore e fitores së vyer të së majtës në këtë qytet pas dominimit shumë vjeçar të demokratëve.
“Nëse do të kishte një çmim për “thirrje të humbura”, abonenti Shukri Xhelili do të ishte përzgjedhur i pari nga kompania e tij telefonike. Por “fituesi” i këtij çmimi, që qershorin e kaluar as e kishte menduar të fitonte edhe karrigen e kryebashkiakut të Peshkopisë, duket se nuk kënaqet vetëm me këtë “çmim”, duke kërkuar të jetë edhe një rekordmen: telefoni i tij prej kohësh po plas nga “thirrjet e humbura”, jo vetëm të atyre që e votuan, por edhe të vetë deputetëve që kanë të njëjtët votues.
Por çka ngjarë me telefonin e abonentit Shukri Xhelili? Një shpirt i padjallëzuar do të gjente plot shkaqe për ta justifikuar të zotin e telefonit, që nga dhurimi i një celulari të ri të markës së fundit (nuk di ta përdorë), deri te humbja e numrave (nuk kanë ç’i duhen më).
Por, edhe këto arsye zor se e “lexojnë” Shukriun, pasi përveç telefonit, ai nuk po hap as zyrën për njerëzit, duke humbur jo vetëm “thirrjet”, por edhe vetë votuesit sy më sy. Por çka ngjarë me kryebashkiakun Shukri?
Sërish një shpirt i padjallëzuar mund të gjente dhjetëra arsye për ta justifikuar, që nga punët e shumta private (firma e duraluminit kërkon impenjim), deri te punësimi i të afërmve (duhen sistemuar të gjithë pa përjashtim).
Duke shtuar se Shukriu i shkretë rezulton të ketë humbur edhe on-llajn (faqja e Bashkisë së Peshkopisë në internet ka lajm të fundit Projektbuxhetin e vitit 2013), gjendja bëhet edhe më e mistershme.
Sido që të jetë, duket që Shukriu ka halle të tjera. Aq sa të mos njohë më as votuesit e tij, qytetarët e Peshkopisë, investitorë të huaj, deputetë, madje edhe Kryeministrin e tij. Po, po, Shukriu ka halle të tjera. Madje shumë më të ndryshme nga ato që Aleanca për Shqipërinë Europiane kishte menduar të zgjidhte me ardhjen e tij në krye të Bashkisë së Peshkopisë.
Edhe nëse një mendje e djallëzuar do të sajonte si arsye për ta fajësuar, influencimin mediatik për gjoja përçarjen PS-LSI në pushtetin vendor, Shukriu duket se ka halle të tjera. Edhe ky version bie, pasi Shukriu nuk merr vesh nga politika e madhe, madje “bën beee” dhe u beson verbërisht deputetëve socialistë të zonës dhe kryetarit të madh të partisë, që ia kujtojnë përditë se “qeverisja PS-LSI është më e fortë se kurrë”, në nivel lokal dhe qendror. Kështu që duket se Shukriu ka halle të tjera.
Dhe NE të gjithë duhet të presin deri sa t’i zgjidhë ato. Por, deri atëherë, të paktën e dimë që telefoni i tij, zyra e shtetit dhe faqja on-llajn e Bashkisë së Peshkopisë janë të mbyllura… Dhe kaq nuk është pak”, shkruan Spahiu.