Tani po që Partizani e ka një sulmues tek i cili mund të besojë dhe ai është Kaleb Ekuban. Trajneri Sormani u konsiderua mëkatar edhe për transferimin e tij, pasi asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me golin, por në Shqipëri duket se ka gjetur kampionatin ideal. Trajneri Starova nuk e aktivizon më në majën e sulmit, duke i lënë më shumë mundësi për të ardhur pas shpinës së Filit dhe kjo skemë i është përshtatur më së miri ganezit me pasaportë italiane. Ekuban, që nga viti 2013 është huazuar nga Kievo Verona në klube të vogla të Lega Pro dhe në 86 ndeshje të luajtura që në atë kohë ka shënuar vetëm 12 gola.
Sezonin e kaluar, sulmuesi i tanishëm i Partizanit është aktivizuar në 31 ndeshje me uniformën e A.C. Renate, duke shënuar vetëm 4 gola, kuotë të arritur që në 7 ndeshjet e para të luajtura këtë kampionat me Partizanin. Sot në “Selman Stërmasi”, përballë skuadrës së tij do të jetë Korabi, në një tjetër takim të rëndësishëm përpara atij ndaj Skënderbeun që mbyll edhe fazën e parë dhe të gjithë tifozët i kanë sytë nga Kaleb, i cili shprehet i kënaqur me trajtimin prej klubit të ri, aq sa shpeson në shtyrjen e huazimit nga Kievo.