Kryetari i Kuvendit Ilir Meta në një intervistë për News 24 tha se zgjidhja më e mirë për Çështja Çame dhe të gjitha çështjet, nuk është rruga e matjes së forcës, por një rrugë e hapur pro europiane. Gjithashtu Meta foli dhe për deklaratat e Kotzias, duke thënë se kreu i diplomacisë greke ndodhet në një pozitë të vështirë.
“Për të gjitha çështjet dhe padyshim edhe për Çështjen Çame, veçanërisht pas përmendjes së saj nga Komisioneri Hahn. Natyrisht që kjo nuk e justifikon, mendoj unë, këtë mënyrë komunikimi, e cila nuk është e vetmja që vjen në përgjithësi nga diplomacitë ballkanike. Kështu që zgjidhja më e mirë nuk është as të masim GDP-në e njëri-tjetrit, as të tregojmë kapacitetet mbrojtëse, sepse unë nuk jam edhe për përgjigje simetrike. Unë mendoj që ne duhet të jemi asimetrik, por gjithmonë europianë. E vetmja rrugë që ne të shkëputemi nga e kaluara ballkanike, në kuptimin e konflikteve dhe të pengimit të njëri-tjetrit, është një sjellje tërësisht e hapur pro-evropiane.”
Çështja Çame vijon Meta, është një çështje që kërkon dhe e meriton një zgjidhje dhe për të cilën absolutisht është shumë e rëndësishme që të ndiqet një politikë që e zgjidh.
Ndësa i pyetur nga gazetarja se sa kohë do të duhet për të gjetur një zgjidhje, Meta u përgjigj duke thënë se për këtë duhet të punojë diplomacia dhe politika. Kjo është një çështje që në çdo rast do të zgjidhet në bashkëpunim me Greqinë dhe natyrisht që në çdo rast ajo fillon me një akt formal të heqjes së Ligjit të Luftës.
“Duhet të punojnë në mënyrë të veçantë diplomacia dhe politika, sepse nuk është një çështje që mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme. Në qoftë se do të kishte qenë një çështje, që mund të ishte zgjidhur në mënyrë të njëanshme, kjo çështje do të ishte zgjidhur me kohë.
Së dyti, kjo është një çështje që në çdo rast do të zgjidhet në bashkëpunim me Greqinë dhe natyrisht që në çdo rast ajo fillon me një akt formal të heqjes së Ligjit të Luftës.”