Nëse mund të flitet sërish për vullnetarizëm, vlonjatët e futbollit janë rasti më i mirë për t’u marrë në konsideratë. Prej katër muajsh kanë hyrë në fuqi pagesat e sezonit, sipas kontratave të reja të nënshkruara mes palëve, por deri tani futbollistët e Flamurtarit nuk kanë marrë qoftë edhe një rrogë të vetme. Situata është bërë e nderë dhe ka refrlektuar direkt edhe në fushën e lojës, ku në 6 ndeshje të luajtura, skuadra e Maganit ka grumbulluar vetëm 5 pikë. Administratori Sinan Idrizi ka mbledhur pas çdo jave stafin dhe lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, por ende nuk i ka drejtuar futbollistët në ndonjë bankomat, ndonëse në fillim të edicionit flitej për pagesa paradhënie dhe objektiva të mëdha të klubit. Veç të tjerash, shtëpia vlonjate e futbollit ka humbur disa gjyqe për paga të prapambetura, të fundit me ish-trajnerin Gjoka dhe rrezikon të dënohet me heqje pikësh në tabelën e klasifikimit. Për “rastin Gjioka” është FSHF që ka caktuar një afat 30 ditor për shlyerjen e borxhit nga ana e klubit, në të kundërtën do të fillojë seria e penalizimeve.