Nga Frrok Çupi
A vjen, a nuk vjen? Kemi një vit që presim zonjën “Pastërti”. Jo një vit, kemi tre vjet, që ditën kur “hyri Partia”, siç thoshte populli analfabet, në ditën kur hyri komunizmi. Qeveria Socialiste “hyri” në shtator 2013 dhe deklaroi se “ra nga qielli”. Deklarata ishte afërsisht kështu, përderisa deklaroi se “këtu fillojmë nga Zero!”.
Jo, kemi pritur shumë kohë më përpara, pavarësisht se këta thanë se “sot fillon Zero!”. Zero nuk ka kurrë, prandaj e deklarojnë aq pa teklif, si koti… Më duket se është më mirë të themi se kemi pritur njëqind, njëmijë, katërmijë vjet… Presim zonjën “Pastërti”.
Dje, edhe një herë tjetër dëgjova deklaratën se “erdhi…, erdhi Zonja” e shumëpritur. Nesër, në Kuvend, tha kryetari i Opozitës, zoti Basha, do të ulet vetë Pastërtia në momentin që do të votohet për SPAK. SPAK duket si emër mashkullor, por në fakt është Zonjë; sepse është Struktura (gjinia femërore) e Posaçme Anti Korrupsion. Kryetari i Opozitës u shfaq shumë entuziast; aq sa na bëri të besojmë se vërtet “Zonja” me fshesë po vjen.
Pse duhet të perceptohet si “Zonjë”, ose si “Pastërti” kjo gjë e shumëpritur? Jo veç nga rastësia e emrit femëror “Strukturë”; kjo është hiç. Por mbi të gjitha, sepse “zonja” është pastërtorja dhe se ardhja e zonjave në pushtet, botërisht po konsiderohet një “faktor për të pastruar shtetin”. Ta provojmë edhe këtë gjë, që personalisht nuk e besoj.
Por, e Enjte, në ora 11.00, miratimi i ligjit për krijimin e SPAK, do të jetë një realitet; kështu deklaroi sot kryetari i Opozitës. Në të njëjtën kohë deklaroi se “shpura e të korruptuarve nuk do të ketë ditën më të mirë”.
Po, mirë, kjo struktura “pastërtore”, nga do të vijë? Tetori është njoftuar si muaji i shiut të meteorëve (sipas meteorologëve), aq shumë shi meteorësh do të kemi saqë “në një orë do të shikoni mbi 20 yje që iu bien para syve”, thanë Institutet botërore… Vallë të jenë edhe zonjushat me emrin Pastërti si yjet? Jo, kryetari i Opozitës, shpresëmirë, thotë se kjo është tokësore; tokësore, sepse “nesër ligji kalon me votat e PD” dhe se SPAK do të jetë “aleat i PD”.
Vërtet lajmi është i mirë, sikur në PD të kishte njerëz “me duar të zgjidhura dhe me integritet”, tha kryetari. Kryetari i Opozitës, zoti Basha, do të bënte një gjë shumë të besueshme: Të mbyllte derën e PD, të “pastronte shtëpinë” dhe pastaj të ftonte SPAK. Shtëpia e PD sot nuk është e zonja që të presë zonjën Pastërti. Aty ka burra që janë pasuruar përmes pushtetit dhe tani “nuk dalin dot në derë” nga papastërtia. Aty ka edhe zonja që nuk e kanë garën me zonjën Pastërti; zonjat e PD-së e kanë garën me Kim Kardashian, me Fashion Week dhe me vajzat e tyre adoleshente.
“Pastërtia” është një grua e urtë që zbret nga qielli, përvujtshëm”, thuhet në dialektin geg.
Kryetari i Opozitës, në mënyrë vërtet simpatike, ndez motorët e entuziazmit dhe jep pak shpresë. Çfarë shprese? Se do “ta nxjerrë vendin nga kriza” dhe “do të hetojë zyrtarët që zhduken paratë”…
Kam frikë se Zonja nuk do ta bëjë dot këtë. Zonjës Pastërti askush nuk i ka thënë që të zbresë e të mbledhë paratë e vjedhura; të gjithë i kanë thënë “të të ftojmë të burgosësh ca njerëz”. Edhe tokësorët fukarenj e të plaçkitur i kanë mësuar të gëzohen me burgun e tjetrit dhe jo të kërkojnë paratë e vjedhura…
Ta zëmë se kësaj here do të kërkohen paratë e vjedhura… Kush i dorëzon? Edi Rama, kryeministër? Ai ka 14 vjet që grumbullon para; shifra që kanë dhënë shërbimet e huaja, parashikon rreth një miliardë euro në xhepat e tij; mund të jenë edhe më shumë. Me një miliardë Euro, mbrohen një miliardë euro, pa asnjë problem. Zonja SPAK le të vijë e të shkojë.
Opozita përpiqet të ndezë shpresa se “ja, erdhi Zonja!”. Kjo është punë e mirë, por është punë shumë e keqe. Njeriut i duhet dhënë shpresë kur shpresa ekziston; ndryshe, nesër kur të lindë shpresa do të duket plakë e papëlqyer më.
Është zgjedhur momenti më i vështirë për të sjellë shpresë. Deri më tani kemi shpresuar herë te vetja; herë jo te vetja, por te të tjerët; herë jo as te vetja, as te të tjerët, por te Zoti; herë as te Zoti, por te Amerika…. Kanë rënë edhe këto armë. Ambasadori i Amerikës dhe ambasadoresha e Europës nuk janë më me Zonjën Pastërti. Ata janë bërë me qeverinë dhe me Partinë e qeverisë. Po, si mund të mendohej ndryshe, të qëndrojë ambasadori pa partinë e Pasurisë!? Pa partinë e Drogës? Pa partinë e Interesit? Do të ishte naivitet. Aq më tepër në këtë kohë të turbull, kur vetë Zonja Amerikë po zien nga pasiguria për zgjedhje. Aty media është anuar, aty kundërshtari shahet, aty media amerikane thotë se në Departamentin e Shtetit kanë humbur 6 milionë dollarë; aty kanë humbur 30 mijë emaile sekrete të shtetit… A është ky momenti që të presim këtu zonjën “Pastërti”?
Gjithë bota po pret shëndetësimin e Shtëpisë së Bardhë; qeveria jonë nuk e do këtë, ambasadori nuk e ka këtë arsye.
Është gjetur koha më e vështirë për të ftuar “Pastërtinë”. Po nxitohet Opozita, sepse është e vetme, edhe pa të vetët. Nuk ka me vete as të varfërit e të mjerët që kanë dëshirë “t’i hajë ujku” si në ëndërr.
/veritas.com.al/