Në prag të finaleve të Euro 2016, në interesin e të gjitha mediave ishte dueli midis dy vëllezërve, Taulant Xhakës që do të luante për Shqipërinë dhe Granitit që mbron ngjyrat e Zvicrës. Dhe meqenëse suksesi mediatik ishte i jashtëzakonshëm, sigurisht që e kanë shijuar maksimalisht edhe vetë protagonistët e fushës, familjarët e tyre, por edhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi. Ndërsa nesër do të ketë një seri tjetër të përplasjes Graniti – Taulanti, këtë rradhë në Champions League, kur në Londër do të ndeshen Arsenali me Bazelin.
Sërish Xhaka i vogël mbetet më i favorizuar, ashtu si edhe në ndeshjen e Francës, për hir edhe të diferencave që kanë dy skuadrat. Deri tani, në grupin e tyre, të gjitha skuadrat janë me pikë dhe golaverazh të barabartë. Bazeli ka barazuar në shtëpi 1-1 në ndeshjen e parë ndaj bullgarëve të Ludogorec, ndërsa Arsenali po me të njëjtin rezultat në Paris me PSG.