Hidrocentrali i Banjës, ka nisur sot zyrtarisht punën.
Vepra është një investim i gjigantit energjitik, Statkraft, që veç ndërtimit të hidrocentralit ka investuar edhe në infrastrukturë dhe përmirësimin e jetës për komunitetin e Banjës.
HEC-i i Banjës është pjesë e projektit “Devolli Hydropower”, që parashikon edhe ngritjen e Hidrocentralit të Moglicës.
“Sot po hapim zyrtarisht jo vetëm hidrocentralin, por po përurojmë edhe rrugën dhe gjithë bukurinë që e karakterizon zonën”, u shpreh një përfaqësues i Statkraft.
Ndërsa Kryeministri Rama e vlerësoi si një nga momentet që krijojnë shpresë dhe optimizëm të bazuar tek e ardhmja.
“Është një moment historik për të gjithë këtë zonë që ndjehet e çliruar nga ankthi i izolimit. Ky moment është rezultat i një bashkëpunimi shembullor mes qeverisë shqiptare dhe njërës prej kompanive më të shquara në botë në sektorin e energjetikës. Hidrocentrali i Banjës është vepra e madhe e përfunduar në kaskadën e Devollit, ku u punësuan deri në 2000 mijë punonjës. Një sipërfaqe e barabartë me 2000 fusha futbolli”, tha kryeministri.
Hidrocentrali i Banjës pritet që të rrisë me të paktën 5 përqind prodhimin vendas të energjisë nga hidrocentralet.