Nga Ahmet Zani
Pas afro dy muaj nga humbja tragjike e Fatmir Sulajt nga Miloti në burgun e Shënkollit, familjarët rrëfejnë makthin e humbjes së 30 vjeçarit në rrethana misterioze. Nuredini babai i viktimës rrëfen për ecejaket e tij në dyert e prokurorisë në Lezhë, si dhe të burgut në Shënkoll, por pa marrë kurrfarë përgjigje:
“Djalin nuk e kishim menduar se do ma sillnin të vdekur, ata të cilët më kërkuan të merrnin pjesë në ceremoninë e mortit, pa dhënë ndonjë detaj nga humbja e jetës. Ndonëse mosha dhe sëmundja më kanë rënduar, një tjetër stërmundim janë duke e shtuar në familjen time dhe moskokëçarja nga autoritetet e drejtësisë për atë çka i ndodhi tim biri në burgun Shënkoll.”
Fatmir Sulaj humbi jetën në qelitë e këtij burgu me 30 korrik të këtij viti, ndërsa nga autoritetet e burgut kanë dhënë disa versione pas ngjarjes. Sipas tyre një mundësi e humbjes së të riut nga Miloti ishte ajo e djegjes me anë të një bombule gatimi, e hedhur nga një tjetër i burgosur nga dritarja e qelisë pranë, si rezultat i konfliktit mes grupeve. Kurse versioni tjetër është ai nga pakujdesia gjatë gatimit, ndaj dhoma e të burgosurve është përfshirë nga flakët dhe i riu duket se është asfiksuar.
Asnjë nga këto variante nuk bind familjarët që thonë se viktima nuk ka patur shenja djegie.