Ndërsa i falenderoi dibranët për besimin kryeministri Edi Rama u shpreh se PD-ja është një kalë që nuk e tërheq dot më karrocën. Rama u është përgjigjur nga Dibra akuzave të Partisë Demokratike për blerje të votave duke i cilësuar fyerje deklaratat e PD ndaj qytetarëve të Dibrës. Rama falënderoi vetëm votuesit e saj, “duke i akuzuar të tjerët si bashkëpunëtorë të krimit”.
Rama: “Shpifje. Kam shëruar vetëm plagët e Dibrës.”
Kryetari i ri i Bashkisë, Muharrem Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për blerje votash. Rama theksoi se asnjë nga akuzat e PD-së nuk është e vërtetë, pasi dibranët nuk blihen me para. Ai ka theksuar se gjatë fushatës e sulmuan, duke e bërë edhe trafikant droge, ndërsa ajo që ka bërë ai gjatë gjithë kësaj kohë ka qenë ‘shërimi i plagëve të Dibrës’. Rama tha se akuzave nuk u shpëtuan as vëllezërit e tij.
Ndërkohë deputeti i majtë, Sadri Abazi pasi uroi kryetari aktual të bashkisë për fitoren i kërkoi kryeministrit Rama që të mbështes Dibrës, pasi edhe ajo do ta mbështesë atë.
Rama: “Të flasësh për PD është si të flasësh si për një kalë që nuk tërheq më dot asnjë karrocë, ndjesë kalit se është kafshë fisnike, edhe kur nuk tërheq dot më një karrocë! E kemi të pamundur të mos flasim për PD se është opozita, por në këto 3 vite ky vend ka vuajtur mungesën e një opozite sfiduese, një opozite që thotë nuk bëhet kështu po ashtu, një opozite që i ndan njerëzit në kriminele dhe heronj. Një opozitë që arrin të bëjë hero edhe atë personazhin që as emrin s’kam dëshirë t’ja përmend..Erdhën në Dibër me një trup cirku të mbushur me funksionarë të korruptuar dhe me deputetë që vijën vërdallë, u bënë barcaleta nëpër fshatrat e dibrës: O Zot se ç’këroni këtu…”
“Në organizimin e kësaj fushatë ishte fantastike, sepse ishte njerëzore, e thjeshtë pa zhurmë, fushata për t’i dhënë besim dikujt që nuk ishte material importi, por ishte bio. Nuk e kishim menduar që kaq shumë njerëz donin të ishin pjesë e këtij momenti. Takova gra, burra të moshuar, vajza e djem që prisnin për të gjetur mundësinë të hynin në këtë sallë, dhe duke i parë mendoj si ka mundësi që pas një verdikti kaq të qartë, dhe një diference kaq të thelle, një parti që për kaq shumë vite ka marrë besimin e dibranëve, t’u kthehet atyre me atë gjuhë, dhe të akuzojë jo disa njerëz, por një popull të tërë si të ishin bagëti që dilnin nga parcelat e hashashit.
Si ka mundësi që një parti që është me e madhja e opozitës të arrije deri në këtë pikë, që pasi shpall me të madhe një test kombëtar në një fushatë vendore, pasi premton se nga këtu do të fillojë një përmbysje e madhe në Shqipëri, e pasi madje shpall edhe fitoren në momentin kur mbyllen kutitë e votimit. Pasi sheh se nga numërimi merr vetëm opingën e Sheros, i turret dibranëve duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit. Unë do të falënderoj detyrimin e qindra votuesve të Muharremit, pro nuk do lë pa falënderuar edhe ata të tjerët që edhe pse nuk votuan Muharremin, morën pjesë në këtë proces demokratik. Nuk e kuptoj si një parti e madhe pjesëmarrëse në garë, falënderon votuesit e saj, por fyen qindra votues të tjerë.”
Muharem Rama: “Së pari më lejoni të shpreh falënderim të veçantë për të gjithë ata që më votuan. Kjo më shton mua përgjegjësinë para qytetarëve të Dibrës. Kjo më bën mua si kryebashkiak që ta çojë Dibrën ashtu siç ne e ëndërrojmë. Gjatë këtyre ditëve janë hedhur akuza si trafikantë droge. Kam punuar dhe kam shëruar dhe u kam shërbyer qytetarëve të Dibrës. Nuk kanë lënë gjë pa thënë, madhe edhe vëllezërit e mi. Kanë folur për një media që vëllezërit e mi kanë ofruar para. Por dibranët nuk blihen me para. Ata kanë shkuar atje për të kërkuar vend pune. Ne do hapim vende pune”.
Abazi: “Urime kryetari të Bashkisë. I kërkojmë të mbështes fortë Dibrën. Falenderojmë kryeministrin Rama. Dibra do të mbështes ty.”