Pak javë më parë, ishin shumë pak ata që mendonin se PS do ta fitonte garën për Bashkinë Dibër, pas gjëmës që i ndodhi me ish-kryebashkiakuan Shukri Xhelili. Por, ja që ndodhi. Partia Demokratike e humbi këtë garë për Bashkinë e Dibrës, fiks pesë muaj pasi ish-kryebashkiaku socialist u shfaq nëpër ekrane me një videoskandal seksual. Nëse i referohemi vetëm kësaj ngjarjeje, e cila ishte një minus i madh për PS-në qysh në nisje të fushatës, Partia Demokratike ka humbur një garë, të cilën do të duhej ta kishte fituar patjetër. Në këtë humbje ka edhe shumë faktorë të tjerë. Mund të jetë edhe shitblerja e votës, siç pretendon PD. Por, është fakt se rezultati është aq i thellë sa nuk të lë më asnjë mundësi për t’u justifikuar. Humbja në Dibër, është një dështim i madh për Partinë Demokratike.
Ka shumë pak arsye që elektorati në mbështetje të PS-së të shtohet, sepse qeverija Rama ka shumë më shumë dështime sesa suksese në këto tri vite. Megjtihatë, nëse i referohemi zgjedhjeve të qershorit 2015, Shukri Xhelili fitoi me një avantazh më të lehtë ndaj rivalit të tij demokrat Ilir Klosi. Në ato zgjedhje, Shukri Xhelili mori edhe mbështetjen e LSI-së. Ndërsa kësaj here kandidati i PS mbështetej nga PDIU dhe janë pikërisht votat e kësaj partie që kanë një ndikim thelbësorë në këtë rezultat.
Në zgjedhjet për Bashkinë Dibër evidentohet një detaj shumë i rëndësishëm. Humbja e koalcionit PD-LSI përballë koalcionit PS-PDIU. Është tashmë e ditur se LSI nuk e mbështeti kandidatin e PS-së në Dibër, Muharrem Rama. Madje, thonë se LSI punoi kundër tij dhe në favor të kandidatit të PD-së. Burime të sigurta pranë PD-së, thonë se shumica e anëtarëve të LSI-së kanë votuar për të djathtën dhe se e kanë mbështetur hapur Sherefedin Shehun e PD-së gjatë fushatës. Nuk pati aktivizim të drejtuesëve të LSI-së në fushatë, ndërsa Meta nuk u duk në Dibër as në mitingun përmbyllës të fushatës për kandidatin e së majtës, Muharrem Rama.
Ndaj dhe ky i Dibrës, është një rezultat shumë i rëndësishëm për PD-në për të marrë vendimet për zgjedhjet e vitit 2017 dhe po aq i rëndësishëm edhe për LSI-në. Ky rezultat provon që LSI nuk ka shumë arsye të bëjë marrëveshje parazgjedhore më PD-në, e cila nuk ia garanton qëndrimin në pushtet në katër vitet e ardhshme. Është po kaq i rëndësishëm edhe për PS-në për të flakur frikën se pa LSI-në nuk fitohen zgjedhjet.