Sot në Këshillin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, do t’u raportojë krerëve të diplomacisë evropianë në një takim joformal për bisedimet që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në takimet e realizuara në kuadër të Forumit të Parisit.
Qëllimi i takimeve në Paris, siç paraprakisht pohoi Borrell pas takimeve “ishte t’u përgjigjemi sfidave kritike” në marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës dhe për bisedimet siç tha ai “jemi fokusuar në ndihmën e palëve për të gjetur zgjidhjet e nevojshme urgjentisht për krizën aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren”.
Lexo edhe: Detajet/ Çfarë u kërkoi Borrell, Kurtit dhe Vuçiçit gjatë takimeve në Francë
Ne takimet e Borrell me Kurtin dhe Vuçiç-in, si zakonisht, ishte edhe përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak. Debati i sotëm do të fokusohet kryesisht në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Fakti që do të jetë joformal, nënkupton se përfundimet e diskutimit nuk do të publikohen, por pritet që Borrell të përcjellë thelbin e këtyre bisedimeve në një konferencë për shtyp.
Në takimin ministror do të diskutohen edhe probleme të tjera të vendeve të rajonit, siç ka njoftuar një zyrtar i lartë evropian, do të diskutohet për “problemet serioze kushtetuese në Mal të Zi” si dhe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se si vendi mund të përparojë në rrugën evropiane, veçanërisht pas rekomandimit të Komisionit Evropian që Sarajevës t’i jepet statusi i kandidatit.
Zyrtari beson se situata në Ballkan nuk është “e lehtë” dhe se është “plot sfida” dhe se BE-ja është “e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor si kurrë më parë”. Takimi ministror është edhe përgatitje për samitin BE-Ballkani Perëndimor të planifikuar për 6 dhjetor në Tiranë.