Kontrolli i territorit, rritja e buxhetit për këtë qëllim dhe akuzat e opozitës se qeveria po mbron oligarkët që ndërtojnë kulla pa leje në mes të Tiranës, kanë përfshirë në debat këtë të enjte deputetin Ervin Salianji dhe ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi.
Në komisionin e Sigurisë, Salianji pyeti me ironi nëse ministrisë dhe policisë i duhen më shumë para për të kontrolluar në mes të Tiranës për kullat pa leje të oligarkëve. Ndërkohë ministri tha se qeveria nuk po i mbron investitorët, ndonëse oligarkët favoritë të Ramës Gijotina.com i ka denoncuar herë pas herë për ndërtimet pa leje që po zhvillojnë në kryeqytet.
“Si mendoni ta rrisni kontrollin e territorit kanë munguar paratë që policia të kontrollojë përbindëshat e betonit duhen para shtesë që tua japim ne që të kontrollojë ndërtimet e paligjshme që dhe sot nuk ndërhyn? Çfarë e pengon sot policinë të shkojë ti rrethojë ata si hallexhinjtë që bëjnë dritare pa leje që ju shkojnë në çdo moment, mos ju duhen para shtesë dhe për këto? Mendoni që kjo polici në këtë drejtim politik e me këto të dhëna që ka që nuk kontrollon territorin në mes të kryeqytet, 100 metra nga zyra juaj kontrollon dot territorin për kanabis drogën kriminalitetin vjedhjet në cepa të ndryshme të Shqipërisë kur është e pamundur të veprojë në mes të kryeqytetit?” tha Salianji.