Sekuestrohen 1 ton lëndë plasëse në Dibër. Tritoli, i cili është vënë nën sekuestro përdorej për hapjen e minierave. Si rezultat i operacionit të Policisë së Dibrës janë arrestuar 6 persona, të cilët akuzohen se tregtonin lëndë plasëse pa leje.
Mes të arrestuarve janë edhe dy vëllezër të cilët kishin përvetësuar një galeri në një minierë në Dibër, të cilën e shfrytëzonin për nxjerrjen e mineraleve. Vëllezërit, me inicialet B. K. 25 vjeç dhe D. K, 25 vjeç kishin përvetësuar minierën e cila ishte e paregjistruar dhe e paautorizuar.
Policia e Shtetit gjatë një konference për shtyp bëri me dije se gjatë operacionit u sekuestruan 20 kallëpë lëndë plasëse, 8 kilogramë dinamt dhe 15 kapsolla të cilat dyshohet se përdoreshin në kushte të rrezikshme në minierë, ndërsa njëkohësisht u arrestua edhe 38-vjeçari H. B i cili ishte punonjës në galerinë e vëllezërve.