Deputeti demokrat Ervin Salianji ka dhënë një deklaratë për mediat pas përfundimit të seancës në Komisionin e Sigurisë, ku i pranishëm ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku.
Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se as vetë policia nuk e di se deri në çfarë niveli janë hakeruar të dhënat si pasojë e sulmeve kibernetike nga Irani. Deputeti deklaroi se hakerimi ka ndodhur pasi nuk kanë mbrojtje sistemet në vendin tonë.
“Qytetarët ruhen nga policia që të mos vidhen, policia vidhet vetë. Ajo që mund të ju them duke ruajtur plotësisht etikën dhe sekretin për disa element të thënë nga Drejtori i Policisë është që Policia e Shtetit sot nuk ka as vetë të dhëna të plota se deri në çfarë niveli janë vjedhur apo hakeruar sistemet, deri në çfarë niveli dhe a ka pasur shkatërrim. Pra, jemi në fazat kur thuhet se pretendohet që, pretendohet që… Ka një kontradiktë në raport me atë që thotë Policia e Shtetit në raport me atë që ka ndodhur realisht. Pretendohet se nuk janë prekur sistemet që kanë të bëjmë me informacione të klasifikuara, ndërkohë që ju vetë e keni parë që informacionet sekret shtetëror janë publikuar në media. Nuk kanë mbrojtje sistemet në Shqipëri dhe prandaj kanë rënë, janë harxhuar miliarda euro por jemi në këtë situatë. Në fund të fjalës së tij, Salianji tha se deri më sot, nuk ka ende asnjë zyrtar me përgjegjësi penale përsa i përket të dhënave të qytetarëve të publikuara nga ato që quajtën “patronazhistë”, tha Salianji.