Ish deputetja e PS, Mimoza Hafizi, e cila i është bashkuar protestës së thirrur nga Sindikata e pedagogëve, në një prononcim për mediat ka komentuar deklaratën e kryeministrit për rritjen e pagave të tyre me 15%. Hafizi tha se rektorët e universiteteve duhet të deklarojnë qëndrimin e tyre në lidhje me këto kërkesa.
“Rritja e pagave 8% është demagogji, 7% mund të jetë rritje reale, është krejt i papërfillshëm në raport me atë cfarë kërkohet. 8% që vjen nga tarifat e studentëve nuk mbetet ndonjë rezervë për të rritur pagat e pedagogëve. Rektorët nuk e di ku janë qe përballë kësaj lëvizje e kërkesave të formuluara kaq qartë. Ata duhet të ndjehen që ekzistojnë diku e të mbajnë pozicionin e tyre, të pranojnë që universiteti nuk mund të vijojë më me këto paga e këtë trajtim që i bën politika e qeveria”, tha Hafizi.
E pyetur për deklaratën e kryeministrit Rama për Vettingun e pedagogëve, Hafizi tha:
“Ka qenë një kërcënim i hapur, kam përshtypjen që nuk do guxojnë ta bëjnë se duhet ta nisin nga vetja e nga vetja nuk e fillojnë dot. Shumica e pedagogëve në universitet janë gati që të deklarojnë dokumentet nga ku i kanë të ardhurat”, tha Hafizi.