Detaje të reja janë bërë me dije nga shpërthimi i ndodhur gjatë mesnatës në Tiranë. Autori i ngjarjes, siç tregojnë kamerat e sigurisë, ka ardhur pranë vendngjarjes në këmbë, ka aktivizuar lëndën plasëse dhe është larguar po në këmbë.
Banorët e pallatit janë shprehur se shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe ka tronditur banesat. Sipas tyre, që pas shpërthimit pallati nuk ka energji elektrike pasi janë dëmtuar kabujt përcjellës.
Përballë me dyqanin është një bar kafe, kamerat e sigurisë të së cilit kanë kapur autorin e ngjarjes. Këto kamera janë sekuestruar nga policia dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ngjarja ka ndodhur pas mesnate rreth orës 00:15, në rrugën “Sami Frashëri” në Tiranë. Lënda plasëse i është vendosur një dyqani kozmetik në Sheshin Wilson në kryeqytet në pronësi të Enisa Pirollit. Nga shpërthimi fatmirësisht ka vetëm dëme materiale.