14 punonjës policie dhe civilë janë arrestuar në doganën greke në kufi me Kapshticën pas një vëzhgimi disaditor nga Nëndrejtoria e Punëve të Brendshme të Greqisë. Mediat fqinje shkruan se 14 arrestimet u kryen për veprën penale të organizatës kriminale, falsifikimit të rëndë dhe veprave të tjera penale.
Aktualisht po kontrollohen shtëpi në Follorinë për të mbledhur prova shtesë, ndërsa nuk dihet nëse nga arrestimi ka punonjës shqiptarë. Operacioni është zhvilluar mëngjesin e së hënës dhe sipas informacioneve janë sekuestruar para dhe pasaporta false.
Policia e Punëve të Brendshme ka marrë një denoncim dhe prej andej ka nisur hetimi, në kuadër të të cilit janë monitoruar telefonat e të përfshirëve, nga të cilët janë regjistruar biseda inkriminuese.