Serbia nuk do të jetë kurrë në gjendje që ta rimarrë kontrollin mbi Kosovën dhe tashmë lufta për të është e humbur. Kështu shkruan media ruse Vzglyad, duke shtuar se lideri serb i Bosnjës e Hercegovinës po e kërkon një precedent për ta ndarë Republika Srpskan.
“Kosova është Serbi’ në miqësinë ruso-serbe është si një fjalëkalim dhe i tillë do të mbetet. Por si ne ashtu edhe shumica e serbëve e kuptojmë mirë se Beogradi nuk do ta kthejë kontrollin e Kosovës. Gjashtë milionë serbë nuk do të mund të kontrollojnë dy milionë shqiptarë nëse janë të gatshëm të rezistojnë, pavarësisht pozicionit të Shteteve të Bashkuara. Kjo luftë tashmë është e humbur”, shkruan kjo media.
Kjo deklaratë vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi aneksimin e rajoneve Doneskut, Luhanskut, Zaporozhye dhe Kherson në lindje të Ukrainës. Sipas portalit, ndryshe nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili paralajmëroi mosnjohjen e këtyre rajoneve, Dodik do të veproj në mënyrë të kundërt.
“Vuçiç paralajmëroi paraprakisht mosnjohjen e rajoneve DPR, LPR, Zaporozhye dhe Kherson, duke iu referuar mosgatishmërisë për të konfirmuar një precedent të ngjashëm me atë në Kosovë. Dodik veproi në mënyrë të kundërt, për faktin se i duhet precedenti i kundërt dhe ndarjen e Republika Srpskas nga Bosnja e Hercegovinës”.
Putin të premten e kaluar ka nënshkruar dokumente për aneksimin katër rajoneve ukrainase në Federatën Ruse. Ky vendim duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese e Rusisë dhe të dy dhomat e Dumës, pas së cilës do të bëhet përfundimtar.
Megjithëse zyrtarët rusë pretendojnë se vendimet e aneksimit përfaqësojnë vetëm vullnetin e popullit të shprehur në referendume, shumë vende në botë, si dhe organizata të tilla si Kombet e Bashkuara, kanë theksuar se referendumet dhe vendimet e aneksimit janë të paligjshme nga pikëpamja ndërkombëtare.