Kreu i partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar foto të gjendjes aktuale në zonën e Fllakës, mes Durrësit dhe Tiranës, ku mbeturinat kanë mbuluar një sipërfaqe të madhe. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se kjo panoramë është dëshmi e qartë se si “Rilindja” ka braktisur plotësisht qytetarët dhe se abuzimi me fondet publike nuk njeh limite.
“Situata skandaloze në zonën e Fllakës, mes Durrësit dhe Tiranës, është një tjetër dëshmi e qartë e përçmimit dhe e braktisjes së plotë të qytetarëve nga pushteti vendor i “Rilindjes”.
Kapja 100% e bashkive dhe parlamenteve lokale nga Edi Rama, natyrshëm që do të sillte këto rezultate: mungesë llogaridhënie, abuzime me fondet publike, mos dëgjim i zërit dhe i halleve të qytetarëve, braktisje të plotë të tyre deri edhe në falimentim të pushtetit vendor.
Rikthimi i pashmangshëm i opozitës dhe i pluralizmit politik në Bashkitë tona, në aleancë me qytetarët shqiptarë, do të rikthejë llogaridhënien dhe pushtetin lokal në duart dhe në shërbim të tyre.”