Oficerja e Policisë së Shtetit, Anisa Kostani, është rikthyer në detyrën që ajo ka mbajtur para se ndaj saj të merrej masa e pezullimit. E reja, e cila mbante detyrën e nënkomisares pranë sektorit të krimit ekonomik në drejtorinë e Elbasanit është rikthyer në punë rreth dy muaj më parë.
Masa e pezullimit u mor nga vetë ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano pas disa shkrimeve që oficerja e policisë kishte bërë në rrjetin social Instagram ku quan gazetarët të degjeneruar madje në një farë mënyrë i ka kërcënuar mediat duke i thënë “do përfundoni nën rrota”.
Pas rastit të efektives Kostani, AMP u ka kërkuar që çdo efektiv të jetë i kujdesshëm edhe në përdorimin e rrjeteve sociale duke treguar integritet e përgjegjshmëri. Kostani, që njihet si adhuruese e gjarpërinjve dhe për jetën e luksit, nuk mund ta ushtronte detyrën e saj deri në përfundim të hetimeve, por ende nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Elbasanit.