Turqia tha se ka “neutralizuar” rreth 30 anëtarë të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), në operacione të ndara në Irak dhe Siri. Termi “neutralizim” përdoret nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë për të treguar se ka vrarë kundërshtarët.
Ministria turke e Mbrojtjes tha më 2 tetor se sulmet ajrore kanë vrarë 23 anëtarë të PKK-së në rajonin Asos, që gjendet 140 kilometra larg kufirit të Turqisë, në veri të Irakut. Ndërkaq, shtatë të tjerë u tha se u vranë në veri të Sirisë.
Turqia rregullisht kryen sulme ajrore, shpesh me dronë, në territoret e Irakut dhe Sirisë, si pjesë e ofensivës së saj kundër militantëve të PKK-së që gjenden në këto shtete.
PKK-ja ka nisur kryengritjen ndaj shtetit të Turqisë më 1984 dhe mbi 40.000 persona janë vrarë që nga nisja e konfliktit. PKK-ja njihet si grup terrorist nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Një zyrtar i forcave speciale turke u vra në një sulm në Ankara të dielën dhe Turqia fajësoi pjesëtarët e PKK-së.
Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, tha më herët gjatë javës se ushtria ka goditur 16 shënjestra përmes sulmeve ajrore të kryera brenda javës në rajonin e Asosit, ku u kryen edhe sulmet në fundjavë./REL