Dy persona janë arrestuar ditën e sotme në Shkodër, pasi kryenin aktivitet në mashtrimin kompjuterik. Mësohet se nga operacioni policor “North Forex 4”, është mbyllur gjithashtu një call center, ku shtrihej ky aktivitet kriminal, ndërsa janë arrestuar në flagrancë administratori dhe menaxherja e një subjektit.
Policia tha se ka shpallur në kërkim edhe tre bashkëpunëtorët e tyre, teksa ka proceduar penalisht 7 shtetas të tjerë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.
Gjithashtu, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 17 pajisje kompjuterike të përshtatura për mashtrim nëpërmjet platformave të ndryshme. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.