Kryeministri Edi Rama është pyetur sot në lidhje me financimet ruse në politikën shqiptare. Rama kujtoi se kur socialistët e ngritën këtë temë ato u përqeshën ndërsa shtoi se drejtësia nuk i ka dhënë një përgjigje kësaj çështje.
“PS financime ruse? Nga? Apo përsëri është një rast për të ndryshuar drejtimin e temës. Dua t’ju rikujtoj që po e trajtoni me të drejtë këtë temë pas një publikimi të bërë nga SHBA. Nuk është një temë e re. Kur e kemi ngritur shumë prej jush, përfshirë edhe ata që hidhen përpjetë se e konsiderojnë si një gur për luftën e tyre të brendshme na kanë përqeshur, askush përveç nesh nuk u thellua, ka qenë një përqeshje e madhe. Ishte një front i bashkuar politik dhe mediatik për ta mohuar me të qeshur këtë çështje. Ja ku jemi sot. Këtë pyetje nuk keni pse ma drejtoni mua por prokurorisë, drejtësisë, se politika ka bërë zgjedhjet e veta. Drejtësia e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk i ka dhënë kurrë përgjigje. Është për të ardhur keq që sot janë të skandalizuar, sepse duhet të bënin detyrën e tyre. Nuk duhet të skërmisnin dhëmbët dhe të përqeshin çdo gjë që ne themi“, tha Rama.
Më 14 shtator një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”, zbuloi se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende. Në raport thuhej se Rusia ka financuar me 500 mijë dollarë PD në vitin 2017 kur në krye ishte Lulzim Basha.