Në një intervistë për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka thotë se Partia e Lirisë dhe kreu i saj, Ilir Meta janë aleati kryesor i PD në rrëzimin e kësaj qeverie. Noka u shpreh se aksioni opozitar do të jetë sa në parlament aq edhe në protesta. Sipas tij, ndërthurja e aksionit opozitar do të jetë deri në gjunjëzimin e regjimit, që siç u shpreh ai nuk meriton të rrijë asnjë ditë më shumë.
“Vjeshta do jetë stinë e gjatë. Aksioni politik ka të bëjë me zbritjen në bazë dhe organizimi, përballja me regjimin, protesta. Ndërthurja e aksionit në Parlament me protesta deri në gjunjëzim të regjimit. Ky është një regjim gjakpirës, është një regjim që po shpopullon vendin. Pa asnjë diskutim, Ilir Meta dhe PL janë aleati kryesore në këtë betejë. Aksioni do të jetë i bashkërenduar. Ne së bashku me Partinë e Lirisë dhe aleatët tanë do të jemi bashkë për të mundur regjimin. Ky regjim nuk meriton të rrijë asnjë ditë në këmbë, është regjim antikombëtar. Ne jemi në bashkërendim me PL dhe aleatët tanë. Jemi në bisedime me aleatin tonë kryesor, PL, me gjithë aleatët e tjerë dhe do të përcaktohet agjenda. Protestat do të jenë finalizim, aksioni do të përfshijë edhe betejën parlamentare” – tha Flamur Noka.