Avokat i njohur, Idajet Beqir ka replikuar sërish me Partinë e Lirisë të udhëhequr nga ish-presidenti Ilir Metaj dhe ish-deputeten Silva Caka, pasi këta të fundit dy ditë më parë në një konferencë për mediat nga selia e PL, hodhën akuza të forta në adresë të tij. Gjatë një prononcimi të gjatë dhe të mbushur me detaje, avokat Beqiri jep një përgjigje shteruese për “kamikazen” e Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, Silvi Caka, siç e etiketon ai me ironi dhe bazuar në fakte dhe prova.
“Silvi, Në radhë të parë, më vjen keq që bëhesh “kurban” dhe “kamikaze” e Ilir Metaj! Një gjë që nuk ka “zogdreqi” ta mbroj, nuk duhet të aventurosh duke bërë përpjekje ta mbrosh. Aq më keq kur je në konflikt të hapur interesi, sepse Monika dhe Iliri korrupsionin galopant 30 vjeçar nuk e kanë bërë pa grupin e tyre apo organizatën kriminale, ku ti je pjesë përbërëse! Në radhë të dytë, unë sinqerisht të falenderoj, sepse pavarësisht se ti, përmes këtij postimi, ke qëllim të vetëm shantazhimin tim dhe kërkon që unë të mbyll gojën, në fakt më ke bërë nderin më të madh sepse e ke botuar vendimin e gjykatës së lartë të Sistemit Komunist të vitit 1986, dhe kështu “legjendave” 30 vjeçare të shantazhuesve të tjerë para teje, të stanit me bulmet të prishur të Sali Berishës, se gjoja unë isha dënuar për “mashtrim”, “për shpërdorim detyre”, “për korrupsion”, “për dhënien e një vendimi gjyqësor të padrejtë”, e madje edhe për “pedofili”(!!!), ju ke dhënë ti, me vendimin që ke publikuar, përgjigjen e duhur. Ti, Silvi, veç kësaj të mire, në statusin që ke hedhur, ke bërë edhe disa poshtërsi të rënda, të cilat e rëndojnë pozitën tënde”, deklaroi ai për gazetën “Sot”.
Idajet Beqiri: Partia e Lirisë ka shkelur të drejtat e njeriut, Meta hajdut
Po ashtu, avokat Idajet Beqiri akuzon Partinë e Lirisë se ka shkelur të drejtat e njeriut. “E para, duke qenë deputete, juriste dhe zëdhënëse e Partisë së Lirisë, nuk duhet t’i shkelje në mënyrë kaq flagrante të drejtat dhe liritë e M.K dhe B.M, të cilët nuk janë dënuar nga gjykata dhe se ata nuk t’a kanë borxh ty, që pas 37 vjetësh, t’u shkelësh kaq barbarisht liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata janë bërë me fëmijë, janë bërë me nipa e mbesa, nuk kanë patur kurrë funksione publike, ndaj nuk të kanë borxh tyja dhe Partisë së Lirisë, të fyhen dhe të përgojohen pas 37 vjetësh! Duhet t’i mbuloje emrat dhe mbiemrat e tyre, nëse je e Partisë së Lirisë, dhe jo e Partisë së Lirisë për të bërë korrupsion, vjedhje dhe shantazhe! E dyta, duke qenë deputete, juriste dhe zëdhënëse e Partisë së Lirisë, ti Silvi duhet të jesh e ndershme dhe korrekte me vetveten.
Duhet të citoje vendimin e gjykatës e zeza në të bardhë, dhe jo të përdorje zhargonet rrugaçërore të shkollës së Ilir M. dhe Monika K. Në atë vendim që ti e konsideron një dëm të madh që i është bërë sistemit komunist, sepse unë u kam dhënë pensionin e pleqërisë dy fakirfukarenjve, thuhet: “Gjykata vlerëson faktin se veprën nuk e ka kryer për përfitime materiale, apo për të favorizuar padrejtësisht persona të tjerë, por për të zvogëluar artificialisht numrin e seancave gjyqësore…”! E kupton ti Silvi çfarë ndryshimi kolosal ka ky veprim me korrupsionin disa milion euro “me bllok në dorë” të Ilir Metës, me zë dhe me figurë?! Apo me vjedhjen e floririt në Krrabë?! Apo me vjedhjen e 659 mijë eurove të “lobimit” të Amerikës që i futi në xhepin e tij, të Monikës, tëndin, të Kërpaçit, bijës së Sekretarit të PPSH, besnik deri në vdekje të Enverit e të tjerëve me radhë?! Apo me Sarajet në Gjirin e Lalzit e kudo në Shqipëri dhe deri në Angli e gjetkë?! Silvi, Nëse do të ishte gjallë i ndjeri Bashkim Caka, xhaxhai yt, ish punonjës i rëndësishëm i Aparatit të Komitetit Qendror të PPSH, dhe më pas, anëtar i Gjykatës së Lartë etj, etj, do të thoshte tyja: “Vajza e Xhaxhit”, u shpreh ai.
Avokat Beqir rrëzon PL dhe tregon si i ngjiti shkallët e karrierës
Po ashtu, avokat Beqir rrëzon pretendimet e Partisë së Lirisë dhe tregon se shkallët e karrierës i ka ngjitur me meritë, qysh në kohën e socializmit. “Idajet Beqiri në kohën e monizmit i ngjiti shkallët e karrierës vet, pa ndihmën e askujt, sepse nuk kishte krahë, si ti Silvi. Prindërit i kishte naftëtarë të thjeshtë në Patos. Vet Idajeti 15 vjeç u bë naftëtar. Pastaj me zgjuarsinë e tij, me aftësitë e tij, me vetëmohimin e tij, u bë Sekretar I Parë i Rinisë së Rrethit Fier dhe anëtar i Byrosë së Komitetit Qëndror të Rinisë. Pastaj në moshën 21 vjeç u bë drejtor i Kantierit të Ndërtim Montimeve të Ballshit dhe komandonte 650 punëtor.
Do të thoshte gjithashtu që Idajeti ishte i pari njeri në monizëm që hoqi dorë nga privilegjet dhe paga shumë e mirë si sekretar i parë i Rinisë në Fier për të vazhduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, duke u bërë student i ekselencës. Pastaj Bashkimi, xhaxhai yt i ndjerë dhe miku im i shtrenjtë, i cili ishte me detyrë të rëndësishme në Komitetin Qëndror të PPSH, do të thoshte ty se Idajet Beqirin e përjashtuan nga PPSH në vitin 1975 sepse e konsideruan armik të Partisë së bashku me Pirro Gushon, ish anëtar i KQ të PPSH, me të ashtuquajturin “Grupi Armiqësor i Naftës”! Pastaj do të thoshte që Idajeti, si i paepur që ka qenë gjithë jetën e tij, u ringrit me punë dhe aftësi dhe Sekretariati i Komitetit Qendror të PPSH e emëroi Kryetar të Gjykatës në rrethin më me krime të vendit, në Krujë, ku shkëlqeu me aftësitë dhe integritetin e tij si i pavarur, i guximshëm, i drejtë dhe human.
Pastaj i ndjeri Bashkim do të thoshte tyja që Idajeti nuk bëhej dot servil i regjimit, por jepte vendime në emër të ligjit. Duke qenë i tillë, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, meqenëse Idajeti kishte korrespodencë me të, e kishte nga vendlindja dhe fliste mirë për Mehmet Shehun, ish Sigurimi i Shtetit, gjeti një tip, si Ilir Metaj, të quajturin “Z.B”, i cili u mësua të shkruante një letër anonime kundër Idajet Beqirit dhe këtë letër e dërgoi në adresën që i thanë, të Lenka Çukos dhe Rita Markos, duke gjetur këtë “vjegën” e dy vendimeve gjyqësore të dhëna “me shkelje procedurale” (me qindra e mijra vendime gjyqësore prisheshin dje dhe sot për shkelje procedurale), për t’a goditur për herë të dytë si “armik i PPSH”, si bashkëpunëtorë, mik dhe dashamirës i Pirro Gushos dhe legjendës Mehmet Shehu…
Beqiri akuzon Silva Cakën si manipulatore
Ndërkohë avokat Beqiri akuzoi Silva Cakën si manipulatore. “Nëse e do të lexoje me pak tru (po ku t’i gjesh) vendimin, posaçërisht fundin e këtij vendimi, sado “kamikaze” e Ilirit dhe e Monikës të jesh, do të kuptoje thelbin e goditjes ndaj meje dhe do të skuqeshe, para se të shkruaje këtë paçavure “status”! Si manipulatore që je, ti, megjithëse vendimin e ke përpara, nuk të kanë leverdisur të thuash dy gjërat më esenciale që thuhen aty:
E para, në vendim thuhet e zeza në të bardhë: “Gjykata vlerëson faktin se veprën nuk e ka kryer për përfitime materiale, apo për të favorizuar padrejtësisht persona të tjerë, por për të zvogëluar artificialisht numrin e seancave gjyqësore…”! E dyta, Në atë vendim që ti e përdor për të më shantazhuar mua, moj Sivi, arsyetohet pafajësia ime për akuzat e “shpërdorimit të detyrës”, pafajësia ime “për dhënien e një vendimi të padrejtë”, pafajësia ime për “përvetësim të pasurisë socialiste për personat e tjerë” etj. Pse nuk e thua këtë gjë ti Silvi, por vjellë vrer dhe helm Monike dhe Iliri me idiotësira fyese dhe shpifëse?!”, nënvizoi Beqiri për gazetën “SOT”.
Beqiri: Ilir Metaj dhe Partia e Lirisë janë sh.p.k.-ja e turpit
Më tej avokat Beqiri e cilëson ish-presidentin Ilir Metaj dhe Partinë e Lirisë, si SHPK-ja e turpit. “Së fundi, “meraku” jot moj Silvi se çfarë do t’u tregojë unë +fëmijëve të mi, nipave dhe mbesave të mi, është për të ardhur keq, madje është shumë i pështirë dhe i pamoralshëm. Unë u kam lënë një vepër dhe një kryevepër në të mirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve fëmijëve, nipave dhe mbesave të mia, ndryshe nga Iliri yt, nga ty dhe SHPK-ja jote e turpit, e krimit, e korrupsionit dhe e ish Sigurimit të shtetit. E para, sepse u përpoqën ata të sistemit komunist, që u mbron ti me kaq fanatizëm të ashtuquajturin “dënimin” tim, të më dënonin pse “dëmtova sistemin” me dy pensione qesharake, por të merituara që u dhashë dy fakirfukarenjëve. Me këtë lloj “dënimi” gjithkush krenohet sot moj Silvi”, shprehet Beqiri për gazetën “SOT”.
Avokat i njohur: Rregjimi i PD më burgosi në ’93 se e quajta Berishën ‘vrasës’
Ndër të tjera, avokat i njohur zbuloi se regjimi i PD e burgosi atë në ’93, për shkak se ai e quajti Sali Berishën “vrasës”. “E dyta, u dënova nga Saliu yt i dashur moj Silvi në vitin 1993 sepse me gërma të mëdha kapitale, në Gazetën Kombi, i thash: ” Sali Berisha ti je vrasës i Shqipërisë dhe i shqiptarëve “. Departamenti Amerikan dhe Amnisti International më dha statusin “I burgosuri i parë politik i regjimit të Sali Berishës “. I burgosuri i dytë u rendit Fatos Nano, i treti Martin Leka, i katërti Aleksandër Frangaj e me radhë. Fëmijët e mi janë shumë krenar për këtë kryevepër timen, sepse i paralajmërova shqiptarët për vrasësin Sali Berisha në vitin 1993, dhe doli paralajmërimi im në maj 1996, në mars 1997, në shtator 1998, në Gërdec, në 21 janar, etj”, theksoi ai.
Beqiri: Ja si më arrestuan, bashkë me Moikom Zeqon në Podgoricë në ’94
Ndërkohë, avokat i njohur ka treguar dhe detaje sa i takon arrestimit të tij dhe të ndierit Moikom Zeqo në Malin e Zi, për shkak se siç thotë ai, ata u bënë dëshmitarë të bashkëpunimit të ish-kryeministrit Sali Berisha me Millosheviçin. “E treta, është e vërtetë moj Silvi që në shkurt të vitit 1994 unë dhe intelektuali i shquar, ish Ministri i Kulturës së Shqipërisë dhe deputeti Moikom Zeqo, u burgosëm nga regjimi serb i Millosheviçit në Podgoricë. Sali Berisha, përmes kryetarit famëkeq pro serb të SHIK, Bashkim Gazidede, mësoi se unë dhe Moikom Zeqo u bëmë dëshmitarë okular të krimeve kundër njerëzimit, si bashkëpunëtorë i Millosheviçit, të Sali Berishës, përmes thyerjes së embargos të armëve dhe të karburanteve. Menjëherë bashkëpunuan me UDB dhe bënë burgosjen tonë, megjithëse ishim diplomatë. Për këtë dënim moj Silvi, fëmijët e mi dhe të Moikom Zeqos janë super krenar sepse sakrifikuam për Shqipërinë, moj e flamosura Silvi, dhe jo si ju, që për të mbushur xhepat e babëzisë me para kontrabande, e derdhët rrëke gjakun e boshnjakëve”, tha ai për gazetën “SOT”.
E vërteta e shpalljes sime në kërkim ndërkombëtar
Po ashtu, zoti Idajet Beqiri ka folur edhe për shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtarë në vitin 2003. “E katërta, moj Silvi dhe e fundit, unë vërtet u shpalla në kërkim ndërkombëtar në 182 vende të botës dhe u arrestova në Gjermani në vitin 2003, si udhëheqës i Frontit për Bashkimin Kombëtar Shqiptar dhe i Armatës Kombëtare Shqiptare, por fëmijët e mi, kombi shqiptar, shqiptarët atdhetarë kudo në botë, janë krenar për mua, sepse me punën dhe me sakrificat që bëmë me luftëtarët qindra të lirisë, e detyruam Grupin Ndërkombëtar të Krizave të jepnin alarmin për t’i dhënë sa më parë Kosovës statusin e shtetit të pavarur, ndryshe një luftë e re ndizej në Ballkan, sipas saj, luftë të cilën e kishte nisur FBKSH dhe AKSH! E mua më sollën në Rinas me pranga në duar moj Silvi, por shqiptarët janë mrekulluar dhe derdhën lot kur unë, edhe i prangosur, putha me afsh shpirti tokën shqiptare, sepse për atë tokë i kisha në duar ato pranga”, sqaroi ai.
Avokati: Ilir Metaj i përdor bashkëpunëtorët si ‘kamikazë’
Më tej në prononcimin e tij për gazetën “Sot”, avokat Beqiri akuzon ish-presidentin Ilir Metaj se i përdor bashkëpunëtorët si “kamikazë”, referuar ish-deputetes Silva Caka. “Të gjitha këto ti Silvi i konsideron “turpe” të mijat dhe “u qanë hallin” fëmijëve të mi me çfarë do të krenohen me mua! Po “ndere” kë quan ti Silvi, hajdutëritë, korrupsionin, të qënurit spiun i sigurimit të shtetit, krimet dhe shantazhimet, si ky që po bënë me mua, në interesin e organizatës tënde “Partia e Lirisë Për të bërë korrupsion dhe krime gjithfarëshe”?! Ik Silvi sa më parë nga ai “stan me bulmet të prishur”, hiq dorë nga të qënurit “mish për top”, villi ato që ke gëlltitur nga Iliri dhe Monika dhe hajde të mësosh parimet bazë të së drejtës dhe të avokatisë, me qëllim që të mos ja kesh nevojën askujt, ndryshe do t’i biesh kokës me grushte kur të jetë tepër vonë”, u shpreh ai.
Nisma e PD për dekomunistizimin e shoqërisë
Nga ana tjetër, avokat Idajet Beqiri, komenton edhe draftin e grupit parlamentar të PD për ndalimin me ligj të filmave dhe simboleve si pjesë e propagandës komuniste. “Ky grup parlamentar i PD thotë se sipas kësaj logjike ne duhet të luftojmë atë pjesë të asaj periudhe me çfarë ka ndodhur, sepse ajo prodhimtari është e atij sistemi. Por sipas kësaj logjike edhe ata që kanë qenë fashist duhen eleminuar, e së pari nga këta duhet të jetë vetë Enkelejd Alibeaj, që është nip i një krimineli lufte. Por kjo luftë e gjakut duhet të marrë fund. Lufta Nacional Çlirimtare na renditi në krahun e antifashistëve më të mëdhenj në botë. Në këtë kohë nuk ke pse luan me lavdinë e filmave, librave dhe lapidarëve të asaj kohe.
Pretendimet se këto filma e libra mund të jenë të deformuar, se ky nuk është realiteti mund të kundërshtohen vetëm duke bërë filma të tjerë, filma të rinj, duke kontribuar në skenarë, regji e filma të rinj. Por vetë kjo kërkesë e kësaj natyre që bën PD nuk ka asgjë pozitive në mes, veç se përçarje. Nuk ka askush të drejtën të cenojnë lapidarët, që tregojnë dhe faktojnë historinë. Dekomunistizimi nuk largohet me shkatërrimin e lapidarëve, por me dosjet e ish-sigurimit të shtetit. Ne duhet të ndahemi nga diktatura e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, e nëse ky ligj do të ishte në rregull do të përmbante vetëm këtë. Demokracia jonë nuk lindi e pastër”, nënvizoi avokat Idajet Beqiri./Prapaskena.al/