Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, dy këshilltarët e emëruar nga Gjermania dhe Franca për dialogun Kosovë-Serbi, do të qëndrojnë për vizitë të premten në Prishtinë.
Plettner dhe Beaune së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak do të vijnë në Kosovë për të diskutuar për hapat e mëtejmë në kuadër të dialogut. Ata pas vizitës në Prishtinë do të udhëtojnë edhe për në Beograd. Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Mund të konfirmoj vizitën e emisarit Lajçak më 9 shtator, së bashku me këshilltarët e politikës së jashtme të presidentit francez dhe kancelarit gjerman. Ata së bashku do të vizitojnë Beogradin dhe Prishtinën dhe do të zhvillojnë takime të ndara me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti. Qëllimi është të diskutohet se si të çohet dialogu përpara”.
Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.
Scholz dhe Macron njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiçit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog. Kujtojmë se emisari i BE-së, Miroslav Lajçak ka qëndruar në Kosovë edhe në fund të muajit gusht, së bashku me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar.
Pas angazhimeve të tyre diplomatike, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse. Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Aktualisht, sfidë për të dyja vendet mbetet çështja e targave të makinave.
Më 1 shtator, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e vendimit të saj për riregjistrimin në RKS të makinave me targa që i lëshon Serbia. Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit më 18 gusht, pas tensioneve në veri, por nga ai takim nuk doli asnjë marrëveshje.