Pas deklaratave të kryeministres serbe gjatë vizitës së saj në veri të Kosovës, e cila foli për sigurinë e serbëve nga Mitrovica e Veriut, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Bërnabiç tha se erdhi në Mitrovicë “në një moment të vështirë”. Ndërkohë nga ana tjetër, Kurti tha se qytetarët e Kosovës janë të sigurt, përfshirë pjesëtarët e komunitetit serb në veri.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të sigurt për shkak se Kosova është shtet demokratik dhe i pavarur, me sovranitet e integritet territorial që nuk e duron dhe e lufton edhe krimin e organizuar, edhe korrupsionin e të gjitha llojeve dhe ngjyrave. Pra, edhe pjesëtarët e komunitetit serb janë të sigurt edhe në jug të Ibrit, edhe në veri të Ibrit. Ata që janë të pasigurt dhe mbase edhe ndjehen të pasigurt janë kriminelët, janë të korruptuarit, meqenëse drejtësia e shtetit dhe fuqia e ligjit është e pamëshirshme me ta” – tha Kurti.