Ministrja e Drejtësisë në Kosovë Albulena Haxhiu, tha se për rastin e përdhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, deri tani ka pasur dy dorëheqje, ndërsa uron të ketë edhe të tjera. Ajo tha se brenda MPB-së dhe MD-së janë duke identifikuar personat përgjegjës që mund të ndërlidhen në një formë apo tjetër me rastin.
“Ka pasur dy dorëheqje dhe ne urojmë që të ketë edhe të tjera për faktin se, sic e kuptojmë, ka edhe zyrtarë të tjerë të cilët nuk i kanë kryer detyrat e tyre pas asaj që ka ndodhur. Siç e dini, unë dje kam kërkuar dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sepse para dy ditësh u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se kanë dhunuar seksualisht të miturën në qershor. Po të vepronte prokuroria me kohë, sigurisht që ata persona do të arrestoheshin shumë më herët dhe vepruan vetëm dy muaj pas. Prandaj edhe është shumë e jashtëzakonisht e rëndësishme që kryeprokrurori i prokurorisë themelore në Prishtinë të japë dorëheqje. Ne po ashtu edhe brenda MPB dhe MD-së jemi duke identifikuar personat përgjegjës që mund të ndërlidhen në një formë apo tjetër me rastin, në mënyrë që të marrin veprime edhe ndaj tyre”, tha Haxhiu.
Ministrja tha se njëri nga personat e dyshuar për dhunimin e 11-vjeçares ka qenë i dënuar në vitin 2020 për dhunë në familje. Ajo thotë se i dyshuari ishte dënuar me kusht, pasi sipas gjyqtarit, kjo masë do t’i shërbente rehabilitimit të të burgosurit. Ndër të tjera, Haxhiu u shpreh se do të identifikohen edhe personat tjerë përgjegjës për rastin e 11-vjeçares, ndërsa tha se duhet të merret shembull nga drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti dhe drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi.