Trajneri italian nuk ka qenë efikas në merkato, ndërkohë që sulmuesi slloven Volas, tashmë i larguar dhe mesfushori Bertoni mund të konsiderohen zgjedhje të dështuara
Në konferencën e shtypit pas ndeshjes Salzburg – Partizani, kur skuadra e tij u eleminua nga Champions League, trajnerit tonë, Adolfo Sormani, iu drejtua një pyetje provokuese nga një gazetar vendas: A e quani sukses arritjen deri këtu në krye të pankinës së Partizanit, pasi deri tani nuk keni arritur asgjë në karrierën tuaj? Tekniku Italian u zu ngushtë dhe gjeti një justifikim ashtu-kështu. Sipas tij, ai nuk ishte në majat e emrave të trajningut, por sidoqoftë është dikush, pasi i kujtoi gazetarit austriak si sukses finalen e Champions League, Barcelona – Juventus, kur bënte pjesë në stafin e Antonio Kontes tek kampionët e Serisë A, ku ka drejtuar edhe skuadrën e të rinjve. Në fakt CV-ja e tij nuk është e pasur dhe si kulm i karierës mund të quhet kur ishte ndihmës i Zolës tek Uatfordi, nga ku u transferua për tek nënkampionët e Shqipërisë, megjithatë këtu erdhi si dorë e hekurt, madje pati edhe besimin e plotë nga presidenti për të drejtuar merkaton. Por deri tani nuk ia ka dalë të gjejë futbollistët e duhur, madje i ka rënduar arkave të klubit. Sormani kishte shumë shpresa tek sulmuesi slloven Volas dhe insistoi që klubi të firmoste me të, ndërsa tani e lanë të lirë si jo të përshtatshëm për Partizanin.
Në foto gjatë një seance stërvitore, futbollistët e Partizanit, Bertoni, Ekuban, Bardhi dhe Fili
Bertoni ishte një njohje e teknikut dhe e solli në Tiranë nga Sudtirol i Lega Pro, por edhe ai ka lënë shumë për të dëshiruar, madje nuk dihet me saktësi nëse fantazisti italian do të qëndrojë, apo edhe ai do të largohet. Ndërkohë që Atanda, një nga mbrojtësit më të mirë të qendrës në edicionin e kaluar nuk ishte në guston e zëvendësuesit të Agostinelit. Bardhi u dënua për thyerje disipline dhe nuk u përfshi me skuadrën në transfertën e Salzburgut, ndërsa në Rusi u përdor si zgjedhje përpara Filit, një futbollist i ri, i cili u konsiderua i fituar gjatë fyshatës europiane të klubit të kuq. Në ndeshjen e kthimit ndaj Krasnodar, megjithëse nuk kishte histori në aspektin teknik, mesfushori i ri i transferuar në janar nga Apolonia nuk u preferua për asnjë minutë, saqë e shprehu nervozizmin e tij duke goditur në shenjë proteste pankinën. Pritet të shihet se si do të shkojë sulmuesi Ekuban edhe ai i transferuar nga Sudtirol, i cili e ka fituar vendin e titullarit, por është ende larg golit. Kështu, qoftë edhe për faj të trajnerit, Partizani është ende në merkato, duke u detyruar të bëjë shpenzime ekstra.