Nisma ‘Ballkani i Hapur’, i nisur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, tre vende nga gjashtë që ka rajoni mund të ketë implikime negative simbolikisht dhe në aspektin e bashkëpunimit të mirëfilltë, sipas një studimi të financuar nga Rockefeller Brothers nga Forumi Ballkanik.
Open Balkan, i quajtur më parë ‘Mini-Shengen’, parashikon lëvizjen e lehtë të njerëzve dhe mallrave nëpër vendet anëtare. Për më tepër, marrëveshjet do të lehtësojnë çështje të tilla si investimet, vendbanimin dhe njohjen e kualifikimeve, duke kërkuar gjithashtu përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Por jo të gjithë janë të bindur.
Një studim i përpiluar nga fondacioni zbuloi se ndërkohë që nismëtarët shprehen se Open Balkan ecën paralelisht me Procesin e Berlinit dhe madje do të rrisë bashkëpunimin mes vendeve, në të vërtetë nuk është kështu.
“Përfshirja e gjysmës së BP në nismën e Ballkanit të Hapur mund të ketë implikime negative në aspektin simbolik dhe bashkëpunimin real”, zbuloi studimi, duke shtuar se nisma rrezikon të zëvendësojë qëllimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është pjesë e Procesit të Berlinit.
“Megjithëse nisma e Ballkanit të Hapur nuk lindi domosdoshmërisht nga zhgënjimi për çështjet e zgjerimit, udhëheqësit e përfshirë duket se e mirëpresin idenë se nuk duhet të adresojnë standardet evropiane brenda saj,”- thotë studimi.
Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi aktualisht nuk janë pjesë e procesit dhe mbeten skeptikë për shkak të frikës se do të rrezikonte integrimin e tyre në BE. Në rastin e Kosovës, ka shqetësime për Serbinë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për shembull, ka kundërshtuar haptazi nismën dhe qëllimet e saj, dhe udhëheqja e Bosnjë-Hercegovinës ka thënë se Open Balkan kërcënon pavarësinë e saj. Mali i Zi duket se është më kurioz për perspektivat, por ka të ngjarë të vendoset në prapavijë, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në politikën e vendit.
Autorët e studimit pohojnë se “Ballkani i Hapur” mund të rrisë më tej ndarjet rajonale, veçanërisht midis Serbisë dhe Kosovës ose Malit të Zi dhe Serbisë e atyre që mbeten jashtë iniciativës.
Ndërkohë, BE-ja është treguar e kujdesshme në komentet e saj për nismën, duke përshëndetur rritjen e bashkëpunimit rajonal por duke u shprehur se nuk duhet harruar rruga evropiane. Në vjeshtën e vitit 2021, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e përshkroi nismën si “konkurrencë jo të shëndetshme” me procesin e integrimit në BE.
Burime të tjera në Bruksel kanë përsëritur qëndrimin e mbajtur më parë nga BE-ja se bashkëpunimi rajonal është gjithmonë i mirëpritur. Megjithatë, në këtë rast, projekti mbetet i mangët për sa kohë kufizohet vetëm në Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni./Marrë dhe përshtatur nga Euractiv/