Shefi i parandalimit të zjarrit Arjan Ahmetaj bëri të ditur për mediat se dy janë personat që u asfiksuan nga zjarri që nisi në fabrikën e sfungjerit në Tiranë. Për “News24”, Ahmetaj tha se falë masave mbrojtëse të vetë fabrikës dhe ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve nga tre stacione në Tiranë, zjarri u vu nën kontroll dhe u shua.
“Janë nisur mjetet nga 3 stacionet. Nga punonjësit është ndërhyrë me fikset e zjarrit që në momentet e para. Pastaj kanë ardhur shërbimet e specializuara dhe brenda pak minutash e kanë neutralizuar zjarrin. Kjo është një fabrikë e prodhimit të sfungjerit, e cila është kontrolluar dhe para 10 ditësh. Subjekti i ka masat e mbrojtjes dhe shpëtimit, falë tyre, zjarri është izoluar dhe shuar në një kohë të shkurtër. Kanë qenë dy punonjës të asfiksuar, që janë transportuar në spital dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut. Do vazhdojmë hetimin për të zbuluar shkaqet e zjarrit”, tha Ahmetaj.
Policia gjithashtu ka dalë me njoftim zyrtar duke thënë se kanë mbetur të asfiksuar 2 punonjës, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.