Në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit, ka reaguar sërish deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ku sipas tij qeveria nga njëra anë po i vjedh me këtë skemë korruptive dhe nga ana tjetër po i vret me plehra. Në një video të postuar në facebook, Boçi shkruan se nëpërmjet këtij inceneratori paguajmë sërish “bosët” në kërkim, ndërsa punëtorët që përballen çdo ditë me mbetjet kanë muaj pa marrë pagat.
“Edhe i vjedhin me inceneratorë dhe i vrasin me plehra! Skena e krimit me incenerator në Elbasan është e palëvizshme! Të palëvizshme janë edhe grumbujt e plehrave që rrethojnë ato hekurishte që i kanë kushtuar taksapaguesve shqiptarë dhe atyre të Elbasanit 27 milionë euro! Vijoj të marr dhjetëra denoncime nga bashkëqytetarët e mi të Elbasanit për grumbujt e plehrave dhe aromën e tmerrshme që ndihet në zonë! Edhe vetë e kam konstatuar dhe denoncuar disa herë këtë situatë dramatike me mbetjet në Elbasan, një incenerator për të cilin paguajmë sërish “bosët” në kërkim, kur vetë punëtorët që përballen çdo ditë me mbetjet kanë muaj pa marrë pagat. Më poshtë me zë dhe figurë banorët që jetojnë rreth inceneratorit që ka grabitur 27 milionë euro dhe që çdo ditë mbjell vdekjen” – shkruan Boçi në facebook.