Ora News siguron foton e ish agjentit të forcave operacionale, Jeton Lami të arrestuar pasi akuzohet se ka shoqëruar dhe eksportuar të shumëkërkuarin Ervis Martinaj gjatë kohës që ka qenë në kërkim nga policia.
Jeton Lami u arrestua më 24 gusht 2022, me urdhër të prokurorisë së Laçit, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe në asnjë moment, nuk ka pranuar të flasë rreth fatit të Ervis Martinaj dhe shoqërimit të tij me këtë person që kërkohet prej 4 muaj nga prokuroria e posaçme SPAK.
Lami u arrestua me vendim gjykate ndërsa aktualisht mbahet në burgun e Shënkollit.
Policia zbuloi se dy njerëzit e fundit që kanë shoqëruar Ervis Martinaj në datën 7 dhe 8 Gusht 2022, kanë qënë punonjësi i policisë Jeton Lami dhe një vajzë.
“Ora Neës” zbuloi vendin e fundit nga ku humbi çdo kontakt me familjarët dhe miqtë biznesmeni i lojrave të fatit, Ervis Martinaj.
Rreth orës 18:30 të pasdites së 8 gushtit 2022, Martinaj ka dalë nga ambjentet e një pallati që ndodhet pas një qëndre tregtare në zonën e “Zogut të Zi” dhe më pas ka hipur në makinën tip “Audi A8”.
Sipas burimeve të policisë kriminale që po heton rastin e zhdukjes së Martinaj, silueta e tij është kapur nga një kamera afër këtij lavazhi në Tiranë. Pamjet filmike të sekuestruara nga policia, tregojnë Martinajn që shfaqet duke ecur me shpejtësi, ndërsa mbante syze të errëta dielli.
Por përpara se të vinte në Tiranë, Martinaj ka qenë në Durrës në një hotel të këtij qyteti së bashku me një vajzë. Edhe në këtë hotel e ka shoqëruar Jeton Lami.
Në pyetje është marrë dhe vajza e cila ka treguar se ka qëndruar vetëm një natë nën shoqërinë e Ervis Martinaj, në një hotel në Durrës.
Zhdukja e njeriut që në Shqipëri, konsiderohet si “Mbreti i Lojrave të Fatit”, tashmë ka hyrë në spiralen e çështjeve paralele të hetuara pa rezultat nga prokuroria Shqiptare, si ajo e Enver Stafukës, Jan Prengës, Eduard Belegut, Irena Selit, Remzi Hoxhës, Kleanthi Koçit, Albano Xhaferaj, Elvis Troqes, Leonard Mehmetit, Agron Molla, Gëzim Hysaj.
Prej 18 Majit 2022, Martinaj rezulton i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK, në kuadër të operacionit “Plumbi i artë” për akuzën e “Sigurimit të mjeteve për të kryer vrasje” në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, në dëm të Endrit Dokles, anëtar ky i një grupimi në Durrës dhe Tiranë, që njihet si “banda e Durrësit”./Oranews.tv